Transmetuar më 12-08-2019, 08:59

Një tragjedi e vërtetë ka ndodhur në Pennsylvania, të SHBA. Një zjarr i cili u përhap me shpejtësi në një kopsht, bëri që pesë fëmijë të humbin jetën dhe një grua të mbetet e plagosur.

Ngjarja e rëndë ndodhi këtë të diel, në qytezën e Erie, teksa lidhur me shkaqet e zjarrit hetimet janë në vijim. Autoritetet konfirmuan se viktimat janë nga 8 muajsh deri në 7 vjeç.

Zjarri u shënua gjatë paradites së të shtunës, në ambientin ku flinin disa fëmijë, duke qenë se kopshti është i hapur 24 orë në 24, si zgjidhje për prindërit që punojnë edhe natën.

Mes viktimave janë dy motra dhe dy vëllezër, nga 10 muajsh deri në 7 vjeç, prindërit e të cilëve punonin natën. Fëmija tjetër i cili humbi jetën mes zjarrit nuk është identifikuar ende. Ndërkohë një grua e cila punonte në kopsht, pësoi dëmtime serioze, duke u shtruar në spital, shkruan noa.al.

Një fëmijë rreth 10 vjeç arriti që të shpëtojë duke u hedhur nga çatia e ndërtesës dy katëshe. Nga të dhënat paraprake dyshohet se zjarri ra në sallonin e katit të parë të shtëpisë, teksa rrethanat nuk dihen ende. /a.y/noa.al