Transmetuar më 12-08-2019, 17:29

Reagimit të kryebashkiakut të zgjedhur në 30 qershor të Shkodrës, i është përgjigjur menjëherë PD e Shkodrës. Valdrin Pjetri, reagoi pasi mbështës të opozitës sot në mëngjes kishin shpërndarë në të gjithë qytetin fletushka me mbishkrimin“Narko-Valdrini jashtë Bashkisë”.

Pjetri i konsideroi trakte këto fletëpalosjet dhe me një postim në Facebook tha se “kjo është organizuar nga 4-5 persona që nuk përfaqësojnë interesat e qytetarëve”.

Por dega e PD-së në kryeqendrën e veriut paralajmëron se nesër do të nxjerrë dokumente që sipas tyre tregojnë të kaluarën e kryebashkiakut të ri Valdrin Pjetri në Itali.

“Nesër shqiptarët do kenë mundësi të shikojnë me letra (dhe jo trakte) se çfarë është për përfaqësuesin politik të Edi Ramës në Qarkun Shkodër data 27 Janar 2003. Deri nesër ke kohë për të ëndërruar përralla me qentë e karvanët, që po të çojnë përpara, drejt greminës!” shkruan  PD-ja.

Më tej ata i kërkojnë të mos u shqetësohet nga letrat e reagimit qytetarë, që me urdhër të Edi Ramës i quan trakte, sepse ato sipas tyre nuk të çojnë në burg.

“Shqetësohu nga letrat e autoriteteve ligjzbatuese italiane, që nuk janë trakte dhe dhe që provojnë se je një person i dënuar për trafik drogë.

Këto letra të ndalojnë të uzurposh zyrën e Kryetarit të Bashkisë Shkodër, të cojnë në burg për fallsifikimin e Formularit të Dekriminalizimit dhe të bëjnë subjekt të menjëhershëm të ligjit Antimafia! Në këtë të fundit nuk të ndihmon dot as Edi Rama, as Tom Doshi, as babai dhe as vëllai”./b.l/noa.al/