Transmetuar më 13-08-2019, 09:27

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, publikon një video dhe ndalet tek Gjykata Kushtetuese.

“Në videon e kaluar, ju mësuat mbi procesin e vetingut. Këtë javë, ne do të flasim për Gjykatën Kushtetuese. Shihni këtë video për të mësuar se si Shqipëria do të ketë një Gjykatë Kushtetuese funksionale, me gjykatës të kualifikuar, të paanshëm dhe apolitikë. Çfarë është reforma në drejtësi. Ndal korrupsionit”, thotë ambasada.

Në video thuhet se Gjykata Kushtetuese është gjykata më e lartë në Shqipëri, e cila vendos se çfarë do të thotë Kushtetuta dhe se ajo mund të vendosë edhe kundër Presidentit, Kryeministrit si dhe agjencive qeveritare.

Nënvizohet se Gjykata Kushtetuese garanton që autoritetet i respektojnë të drejtat tuaja kushtetuese.

Më tej ngrihet pyetja se cili ishte problemi me Gjykatën Kushtetuese në sistemin e vjetër?

Sqarohet se në të kaluarën Parlamenti dhe Presidenti, duhet të binin dakord për një kandidat që ky të bëhej gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, por se shpesh Presidenti dhe Parlamenti nuk binin dot dakord për një gjyqtar, çka shkaktonte vende bosh për një kohë të gjatë.

Më tej thuhet se Gjykata Kushtetuese ka nëntë vende, por se pasi gjyqtarët në detyrë iu nënshtruan procesit të rivlerësimit, vetingut, vetëm njëri prej tyre kaloi dhe se aktualisht janë tetë vende për t’u plotësuar.

Në këtë linjë vijohet se pas reformës në drejtësi Kushtetuta përcakton standardet për të qenë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese dhe se këto standarde vihen në zbatim nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i cili është një grup gjyqtarësh dhe prokurorësh të cilët kontrollojnë kualifikimin e kandidatit.

Ky Këshill rendit tre kandidatët kryesorë për çdo vend në gjykatë bazuar në kualifikimet e tyre dhe se me sistemin e ri Presidentit dhe Parlamentit nuk i’u duhet të bëjnë ujdi për të emëruar një gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese.

Sqarohet se tani kjo detyrë kalon me rotacion midis Presidentit, Parlamentit dhe Gjykatës së Lartë, por këta duhet të zgjedhin vetëm dikë nga ajo listë me tre gjyqtarë të kualifikuar për atë post dhe për pasojë nuk do të ketë ngecje.

Po ashtu nëse Presidenti, Parlamenti apo Gjykata e Lartë nuk do të zgjedhin dikë, atëherë zgjidhet automatikisht kandidati i renditur më lartë nga KED.

Bëhet me dije se së shpejti KED do të jetë në gjendje që t’i dërgojë listën Presidentit, i cili do të ketë mundësi që të zgjedhë cilindo gjyqtar nga lista me tre persona të kualifikuar.

Më tej vendet e tjera do të plotësohen nga Parlamenti dhe Gjykata e Lartë dhe kështu cikli do të përsëritet deri sa të jenë plotësuar të gjitha vendet.

Në mbyllje thuhet se kjo është mënyra në të cilën së shpejti Shqipëria do të ketë një Gjykatë Kushtetuese me gjyqtarë të kualifikuar, të paanshëm dhe apolitikë. /a.y/noa.al