Transmetuar më 13-08-2019, 16:57

Është konstituuar ditën e sotme Këshilli Bashkiak i Bashkisë së Mallakastrës, ndërkohë që është betuar Qerim Ismailaj, i cili mori votën e qytetarëve për të drejtuar këtë bashki në katër vitet e ardhshme.

Ceremonia është zhvilluar ditën e sotme në ambientet e një shkolle të mesme në Ballsh, për shkak se në atë kohë në ambientet e bashkisë, kryebashkiaku në ikje Agron Kapllanaj po zhvillonte mbledhje me këshillin e vjetër bashkiak.

Gjatë fjalës së tij Ismailaj u shpreh se në katër vitet e ardhshme do të jetë në shërbim të qytetarëve të Mallakastrës, qofshin ata të majtë apo të djathtë.

“Është një nder i madh të përfaqësosh në detyrën e kryetarit të bashkisë Mallakastrën tonë. Do bëjmë të mundur që Mallakastra të ndryshojë në të gjithë sektorët e saj. Më lejoni të falenderoj të gjithë të ftuarit e sotëm.

Unë shpresoj dhe besoj që bashkë me këshillin e ri bashkiak do bëjmë të mundur që në fund të mandati 4-vjeçar që Mallakastra të ketë pësuar ndryshim të dukshme në të gjitha fushat. Mallakastra ka nevojë për kontributin e të gjithëve. Nga sot e në vazhdim Bashkia i thotë të gjithëve të majtë e të djathtë se do jemi në shërbim të qytetarëve të Mallakastrës”, u shpreh Ismailaj./b.l/noa.al/