Transmetuar më 13-08-2019, 17:54

Një rast i trafikut të armëve dhe lëndëve eksplozive Serbi-Kosovë-Shqipëri është goditur nga policia e Elbasanit.

Në sajë të  operacioni policor "Papër", në pranga ka rënë një 51-vjeçari, Y.A., nga Kosova, i cili akuzohet se i trafikonte këto armë nga Serbia në Kosovë me destinacion final Shqipërinë.

Ky shtetas u kap në flagrancë duke transportuar me automjetin e tij armë luftarake, municion dhe lëndë shpërthyese TNT, të cilat i siguronte në Serbi e në vende të tjera, më pas i transportonte në Kosovë me destinacion final Shqipërinë.

Armët dhe municionet ishin fshehur në vende të posaçme të krijuara në automjetin e tij, si në motor, kabinë, bagazh e kroskot.

Në cilësinë e provës materiale u   sekuestruan 19 armë zjarri të llojit pistoletë, të markave të ndryshme, 400 fishekë luftarak, 4 kallëpe lënde eksplozive të llojit TNT, me peshë të përgjithshme 1.6 kg, 3 telefona dhe automjeti që transportonte armët.

Në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti kriminal, identifikimin e personave që kanë bashkëpunuar me personin e arrestuar, pasi nga veprimet e deritanishme proaktive rezulton se ky shtetas ka shitur edhe më parë armë luftarake, në Kosovë , Shqipëri e vende të tjera./b.l/noa.al/