Transmetuar më 13-08-2019, 18:25

Bebe Rexha i është drejtuar Instagramit për të bërë publik një shqetësim me të cilin është përballur së fundmi. Ajo ka bërë një replikë të gjatë ndaj një producenti që e ka quajtur të vjetër për të postuar foto sexy në Instagram.

Përkrah një fotoje me të brendshme, këngëtarja shqiptare tregon se edhe pse për pak ditë mbush 30 vjeçe, ndihet më e fortë dhe më e mirë se 10 vite më parë.

“Një producent muzikor më tha së fundmi se po plakesha dhe se marka ime nuk ishte e qartë. Kjo sepse unë jam një tekstshkruese që postoj foto sexy në Instagram dhe tekstshkrueset nuk duhet ta bëjnë këtë gjë, sidomos në moshën time. Unë jam 29 vjeçe.

Më ka ardhur në majë të hundës me ‘të qenit e mbyllur në kuti’. Tani i bëj vetë rregullat e mia. Jam lodhur me etiketimet e vajzave dhe grave si plaka, ndërkohë që djemtë cilësohen si edhe më sexy me kalimin e moshës.

Gjithsesi, unë mbush 30 vjeçe më 30 gusht dhe nuk po e mohoj. Nuk do të gënjej për moshën time dhe nuk do të këndoj këngë që shesin më shumë, sepse tingëllojnë si ‘më rinore’. Do të festoj për vitet që kalojnë sepse e dini çfarë? Jam më e zgjuar, më e fortë dhe, më besoni, jam një e dashur më e mirë nga sa isha 10 vite më parë”, -ka shkruar Bebe.

Kjo nuk është hera e parë që ajo reagon ndaj paragjykimeve të tilla dhe duket se do ta bëjë sa herë ta ndjejë të nevojshme.