Transmetuar më 14-08-2019, 13:54

Pas deklaratës dhe akuzave lidhur me kryebashkiakun e zgjedhur të Shkodrës, Valdrin Pjetri si të dënuar për trafik droge, kryedemokrati Lulzim Basha ka publikuar një listë me 17 emra me kryebashkiakë dhe deputetë socialistë si të lidhur me krimin.

Ai tha se rasti i Valdrin Pjetrit nuk është i shkëputur dhe se sot, një pjesë e mirë e të gjithë kryebashkiakëve, që Edi Rama u imponoi me dhunë shqiptarëve janë me të shkuar kriminale ose me lidhje të tanishme kriminale.

Kështu duke kaluar në emra deklaroi se Pjerin Ndreu në Lezhë një njeri nga lista e zezë a ambasadës ameriane për përfshirje në trafiqe, u hoq nga policia me Fatos Nanon, u rikthye deputet me Edi Ramën, u kap në dosjen ‘184’, u kandidua për Bashkinë e Lezhës.

“Valbona Sako në Durrës është e përfshirë në vjedhjen e votave në bashkëpunim e krimin dhe është përfaqësuese e bandës Dako-Avdylaj me familjarë eksponentë të rëndësishëm të drogës. Artur Bushi në Krujë është i dënuar për trafik droge dhe nuk duhet të jetë kryebashkiak. Agim Kajmaku në Vorë është një person me dy identitete dhe i përfshirë në veprimtari të paligjshme në Greqi. Dionis Ymeraj në Dibër është gjithashtu njeri me të shkuar kriminale. I pushuar për korrupsion dhe nën hetim për korrupsion, i përfshirë në vjedhjen e votave në Dibër, përfaqësues i bandës së Ymer Lalës”, u shpreh Basha.

Ai shtoi se Rakip Suli duhet të ishte përjashtuar dhe ndjekur penalisht, kur ishte deputet, për përfitimet e paligjshme në konflikt interesi për objektet me qera e me kontrata, por as nuk u përjashtua, as u dënua, por u kandidua.

Për Tërmet Peçin në Tepelenë dhe Klement Ndonit, tha se janë të arrestuar në flagrancë nga policia dhe të ndjekur nga prokuroria për qindra kilogramë kanabis.

Për Bashën, në krye të pushtetit lokal Rama po mundohet të imponojë sot përfaqësues të krimit dhe të pakicës kudo në Shqipëri dhe se Edi Rama dhe mercenarët e tij në media dhe kudo, që sot po përpiqen t’i bëjnë dalje Valdrin Pjetrit duke larë duart, nuk patën asnjë fjalë për të thënë për Vangjush Dakon.

Lidhur me Dakon deklaroi se e ndaluan edhe SHBA-të të hyjë në Amerikë për korrupsion, por Edi Rama dhe mercenarët e tij nuk thanë asnjë fjalë dhe nuk shkruan asnjë rresht.

“Për Damian Gjiknurin e kapur në korrupsion dhe në tentativë për të pastruar para në SHBA, të kapur në dosjen e 184 si koka e operacionit për shoitblerjen e voitave me bandën e Ymer Lalës, Edi Rama dhe mercenarët e tij nuk kanë asnjë koment. Për Jurgis Cyrbjen, përfaqësuesin e bandës së Shullazit në Kuvend, Edi Rama dhe mercenarët e tij nuk kanë thënë asnjë fjalë dhe nuk kanë shkruar asnjë rresht. Nuk ka thënë e shkruar asgjë as për Ilir Ndrazhin, përfaqësuesin politik në Kuvend të bandës së Avdylajve. As për Rrahman Rrajan, as për Taulant Yaris, as për Ulsi Manjën, Xhemal Qefaliajn, Paulin Sterkajn, të kapur dhe evidentuar në bashkëpunim me bandit për vjedhjen e votave në Dibër, Durrës, Shkodër, Elbasan dhe gjithë Shqipërinë”, tha ndër të tjera lideri i demokratëve.

Ai shtoi se as për bandën e Xibrakës, bandën e fabrikës së kokainës, ku kanë dalë nga burgu autorët kryesorë nuk tha asgjë.

Për kryetarin e PD, e vërteta është se të gjithë i mbrojti Edi Rama, se kështu mbron të vëllanë Olsi, për të cilin tha se është i e përfshirë drejtpërdrejt me protagonistët e fabrikës së kokainës në Xibrakë. /a.y/noa.al

Basha: Për Valdrin Pjetrit provokoi 2 prill të dytë! Rama e shiti dhe kërkon t’ia hedhë