Transmetuar më 14-08-2019, 14:37

Ish-nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli i kthehet ashpër kryedemokratit Lulzim Basha, lidhur me situatën e krijuar pas publikimit të dokumenteve ku kryebashkiaku i zgjedhur i Shkodrës Valdrin Pjetri, sipas PD, rezulton i dënuar në Itali për trafik droge.

Topalli thotë se Valdrin Pjetrin në Shkodër e çoi Edi Rama por se mandatin për kryetar i’a dha Basha me bojkotin e zgjedhjeve.

Sipas saj, po të mos ishte Lulzim Basha, Edi Rama nuk do të ishte sot Kryeministër, por do ishte rrëzuar 100 herë dhe vendi do kishte një tjetër qeverisje.

Qëndrimi i plotë i Topallit

Çdo fjalë ka konseguenca.

Çdo heshtje po ashtu.

Jean- Paul Sartre

Koha vetëm po konfirmon atë që unë besoj dhe kam përsëritur vazhdimisht, se Edi Rama dhe Lulzim Basha mbajnë reciprokisht njeri tjetrin, dhe ndajnë interesa të mëdha mes tyre.

Edi Rama e çoi Valdrinin në Shkodër, por mandatin për kryetar Bashkie të Shkodrës ia dhe ti Lul, me bojkotin e zgjedhjeve.

Po të kishte një kandidat të djathtë, Valdrini as në ëndërr nuk shihte karrigen e kryetarit të bashkisë. Ti e fyeve Shkodrën njëlloj si Rama.

Për më tepër je tepër i vonuar në luftën kundër krimit.

Në Shkodër, qytetarët prej disa muajsh, tregojnë për dyshimet e thella të së kaluarës të komprometuar të Valdrinit. Por ti për muaj nuk fole.

Ashtu siç nuk fole për vite për Mark Frrokun e kompaninë e tij.

Ti Lul nuk mbulon dot shpartallimin që i bëre PD me vendimet tuaja personale anti demokratike, që i more vetëm për të mbrojtur karrigen tënde.

Po të mos ishte Lulzim Basha, sot Shkodra e shumë bashki të tjera nuk do binin në duart e PS.

Po të mos ishte Lulzim Basha, Edi Rama nuk do të ishte sot Kryeministër, por do ishte rrëzuar 100 herë dhe vendi do kishte një tjetër qeverisje;

Po të mos ishte LB, Edi Rama nuk do kontrollonte të gjithë pushtetin vendor; lista e deputetëve nuk do ishte ajo lista qesharake e 2017. Nuk do kishim parë të zëvendësohen beteja politike me lufte vezësh pulash dhe sot nuk do shikonim të uleshin në karrigen e Kuvendit figura komike dhe të padenja për atë që duhej të ishte altari i demokracisë.

Po të mos ishte Lulzimi, deputetet e PD mund të ishin dinjitoz, do ishin në parlament duke përfaqësuar votuesit e tyre e duke mbrojtur interesin publik të shqiptareve, duke bërë beteja politike për një ekonomi më të mire dhe një jetë më të sigurtë.

Po të mos ishte pazari si formë komunikimi mes krerëve të opozitës dhe qeverisë, sot skena politike shqiptare nuk do ishte e deformuar siç është tani, sot shqiptarët nuk do jetonin në dëshpërim për shkak të vrasjes se perspektivës dhe mbytjes se shpresës që një opozite normale sjell për vendin e saj.

Pas 3 dekadash ngjitjesh e uljesh, përpjekjesh e sakrificash, demokracia brenda forcave politike është në agoni.

Dhe kjo sepse krerët e partive kanë vrarë votën brenda vetes.

Ne 6 vitet që drejton opozitën LB jo vetëm ka habit me humbjet e tij të pandalshme e katastrofike, por ai ka vrarë votën brenda saj, ka vjedhur votat në shtëpinë e tij (dhe kjo me video, me zë e figurë).

Është i vetmi kryetar partie që pas numërimit të votave për forumet e partisë i dalin më shumë vota se votues.(me dokumenta)

Ai do mbahet mend si njeriu që nuk mblodhi për 4 vite rresht asnjë forum të saj për asnjë vendimmarrje.

Do mbahet mend për emërimet më pas në forume të disa personave që nuk thonë asgjë për askënd.

Do fillojë tëmbledh forumet vetëm pas fshesës e spastrimeve të mëdha në parti, pas gjuetisë së shtrigave ndaj demokratëve, pas përçarjes e shkretimit që i bëri PD, për të noterizuar vendimet e tij të çmendura, si ajo e djegies se mandateve dhe të mos hyrjes në zgjedhje.

Me gjithë pakënaqësinë në rritje ndaj qeverisë, LB nuk i shkoi kush pas, sepse siç koha e ka vërtetuar ai është i rremë.

Kauzat nga goja e tij janë false e të rreme. Jo sepse njerëzit e Edi Ramës nuk kanë blere vota. Kanë blere sa kanë dashtë sepse e dinin që LB-së kjo nuk i interesonte sa kohë ishte në qeveri dhe kishte bërë pazarin për bashkëqeverisje me Ramën në vazhdim.

Ishte kjo arsyeja, që Lulzimi urdhëroi anëtaret e PD-së në KQZ, që të votonin 7:0 rezultatin e zgjedhjeve të 2017-ës; urdhëroi që të mos bëhej asnjë shënim kundërshtues në procesverbale dhe të mos ankimohej asnjë qendër votimi, duke legjitimuar mandatin e dyte të Ramës.

Dhe për 2 vite rresht nuk pat asnjë fjalë për çështjen.

U kujtua vetëm kur erdhi koha e fushatës, kur me shpresën e presionit të djegies së mandateve kërkonte rezultatin në tavolinë. (njelloj si me çadrën)

Kur ai thoshte se vota e zgjedhjet i lira janë qëllimi ynë gënjente. Gënjente sepse së pari ai nuk ka bërë kurrë zgjedhje të lira në partinë që ai drejtoi.

Gënjen sepse ka falsifiku votat për veten e tij si kryetar, dhe ka falsifiku listën finale të emrave të KK dhe Kryesisë.

Do mbahet mend për papërgjegjësinë e frikshme që ka tregu sidomos në opozitë;

Ky të len pa fjalë në mënyrë konstante.

Djegia e mandateve nga LB ishte një kambanë e fortë për ata që kanë minimumin e përgjegjësisë mbi rrezikun që sjell papërgjegjësia e një njeriu, që nuk e vret ndërgjegja për asgjë.

Ne 1946 i pushkatuan deputët e opozitës, por mandatet nuk i tradhtuan.

Mos futja në zgjedhje ishte një tjetër alarm i madh për rrezikun që mbart me vete njeriu që merr vendime kaq të papërgjegjshme.

Lulzim Basha të len pa fjalë kur humbjet e 2015 i quante rritje dhe rimëkëmbje; kur pas humbjes katastrofike të 2017 nuk lejoi as kohë për analize dhe me buzë në gaz shpalli vetëngrirjen dhe vetë-kurorëzimin (pa garë).

Të habit kur i dhuron Ramës edhe ata pak bashki që i kanë mbetur dhe thotë se fituam me 85%.

Të habit me akuzat që i drejton kundërshtarit për gjërat që ka bërë vete apo ka ndër mend t’i bëjë vete.

Nuk i lëviz qerpiku, kur thotë se unë bera dekriminalizimin, ndërkohë që kur grupi i ish-deputetëve që e filuan këtë betejë dhe u kërcënuan nga krimi, i hodhi, që t’i shqyente krimi, ndërkohë që vetë merrej me katin shtese tek pallatit te tij dhe si kryetar, për vite rresht nuk përmendi një emër të dyshuar për rekorde kriminale.

Është i vetmi rast në botë, që kur pakënaqësia ndaj qeverisë rritet në kulm,

kryetari i opozitës zbret në kulm (13%).

Unë nuk kam lexu as dëgju që të gjendet sot një njeri që nxjerr vetë forcën e tij politike nga sistemi, ia heq karriget e parlamentit, e hedh jashtë çdo bashkie e Këshilli Bashkiak e për vete të vazhdojë të mbajë karrigen e tij.

Unë nuk besoj se PD-së i është mpirë nervi politik; Nuk besoj se demokratët janë të lumtur dhe aq më pak që të konformohen me tradhtinë që i beri njeriu që vetëm i gënjeu.

Nuk besoj se të rinjtë kane model, njeriun që bëri gjithë perëndimin kundra, që i dha mandatin e dytë Rames për 14 milionë euro të pallatit të tij, që dogji çdo përfaqësim të PD në nivel qendror e lokal me premtimin e rremë për qeveri tranzitore e largimin e Ramës; që duke qenë në opozitë e çoi partinë në humnerë, shqiptarët i çoi në dëshpërim dhe të rinjve i dha rrugët e botës.

Luli nuk ekziston më për demokratët.

Për Shqipërinë, Luli bashkë me Ramën janë bërë një kosto e patolerueshme.

Shqiptarët kanë një problem për të zgjidhur.

Ata nuk mund të tolerojnë më, që 4 vetë të mbajnë peng jetën e tyre e të bijve të tyre. /a.y/noa.al