Transmetuar më 16-08-2019, 13:40

Shteti mbi të gjitha është një teori krejt e gabuar, e kapërcyer. Po sa qesharake duket teoria e shtetit shërbesëtar…

Nga Erion Kristo

Do ta nisim këtë shkrim me dy vargje nga Dritëro Agolli: “O moj cicëportokalle/ethet e gushtit ç’m’i kalle”. Do të donim ta nisnim me ndonjë prelud, ndonjë nokturn, ndonjë marsh a fantazi, por është krejt e pamundur të lëvrojmë madhështinë e muzikës a kulturës, kur avazi i vetëm që dëgjojmë është: “Nuk mund t’ia hedhësh shtetit”. Shtetin e ka zënë vapa. Po popullit, a mund t’ia hedhësh? A mund t’ua shtosh temperaturën me dy gradë mbi atë që sjell moti? A mund t’u kallësh ethet njerëzve? Po me sa duket.

Ky shkrim ka të bëjë me aksionin e fundit tatimor, që u fokusua në dy aspekte: kuponët e lokaleve dhe kuponët e karburanteve. Sapo trysnia e politikës u zbut paksa ndaj Kryeministrit, ai iu rikthye avazeve të vjetra: filluan mbylljet, bllokimet, gjobitjet, shpalljet në kërkim, statuset nëpër rrjete sociale dhe vizitat në terren të shtetarëve të lartë.

Ndërkohë dhjetëra njerëz, të njohur e të panjohur, të rëndësishëm apo të parëndësishëm, janë shprehur haptazi kundër këtij aksioni, që nëse nuk synon një përfitim të menjëhershëm (turp) si mbushja e arkës së boshatisur të shtetit, atëherë është një propagandë krejt e kotë. Ka video dhe shkrime pa fund, dhe sidomos përshkrime të situatave alarmante të krijuara nga nëpunësit e shtetit në luftë kundër qytetarëve dhe biznesit.

A ka kuptim të flitet pas gjashtë viteve për rëndësinë e kuponit? Sa paska zgjatur gjumi i vetëkënaqësisë së të bërit shtet? Mos ka qenë shtet vetëm në mendje, sepse në realitet është provuar katërçipërisht se sa më shumë aksione bëhen, aq më pak rezultate arrihen. Kjo është vërtetuar nga kritikat e FMN, por dhe nga të ardhurat e realizuara.

Më tepër se sa me shtetformim, kjo ka të bëjë me mllefosje: hodha lumin, …kalin. Mbaroi sezoni elektoral, tani fillon sezoni elektrodal. Shteti nuk ka më nevojë të puthë duar qytetarësh, tani vjen koha e nëpërkëmbjes dhe e nxjerrjes së kunjit. Tani të fusin trefazorin dhe nuk u dridhet dora.

Shteti mbi të gjitha është një teori krejt e gabuar, e kapërcyer. Po sa qesharake duket teoria e shtetit shërbesëtar. Vetëm kjo nuk duket në horizont. Shteti të mësyn si serbët në fshatrat e Kosovës; të mësyn disa herë; mësyn atë që është i rregullt; mësyn atë që paguan taksa; i tremb punonjësit dhe klientelën. Shteti është kthyer në kopaçe. Dhe të bën përshtypje se ku gjenden e ku peshkohen këta njerëz që luajnë rolin e xhelepxhiut. Shije e shkëlqyer horrllëku.

Le të kthehemi te biznesi. Cila është detyra parësore e biznesit? Mbajtja e shtetit me të ardhura? Plotësimi i parave të munguara dhe të shpërdoruara për teka pushtetarësh? Cili është rezultati afatgjatë i pritshëm nga ky lloj aksioni, që mbyll biznese (sipërmarrjet turistike) në muajin e vetëm kur ata  mund të punojnë gjatë gjithë vitit?

A ekziston te qeverisja shqetësimi për jetët e njerëzve, për mënyrën se si ata nxjerrin bukën e gojës për vete dhe për familjet e tyre? Po për punësimin? Duket se ka një keqkuptim gjigantesk në këtë pikë, për rolin e biznesit. Ndoshta të nisur nga ata pak miq personalë të qeveritarëve që pastrojnë para dhe kanë nofkën “biznesmen i fuqishëm”, politika i trajton njerëzit sikur janë të gjithë në mes të revanisë, duke harruar që shumë njerëz kanë marrë kredi për një biznes, që kanë pagesa për të kryer, e borxhe për të shlyer.

Tri goditje mori turizmi këtë verë: 1. nga protestat; 2. nga keqqeverisja; 3. nga sulmi në rrjetet sociale. Po ne aq shpirt kemi. Bjeri njëri e sëllo tjetri. Humbjet janë gjiganteske. Vetëm për zhvillim nuk flitet.

Ajo që të shqetëson më shumë në këtë mes, nuk është as aksioni, as reagimi i mekur i organizmave që duhet të mbrojnë biznesin, as reagimi i përvuajtur i intelektualëve, por pikërisht qëndrimi i njerëzve të thjeshtë të cilët kërkojnë që biznesi të paguajë. Kaq thellë ka hyrë propaganda në mishin e njeriut, sa nuk shlyhet më, si tatuazhet e kampeve të përqendrimit. Kjo është më domethënëse. Njeriu i thjeshtë që bërtet dhe shan biznesin, sipas modelit të ofruar nga kryeshtetarët. Pra, nëse është një gjë që funksionon, ajo është propaganda.

Nëse duam të kapim një element tjetër të rëndësishëm, mund ta themi haptazi dhe shprehimisht: Nuk mund të fusni në burg njerëzit që fshehin të ardhurat, pa futur më parë në burg njerëzit që kanë shpërdoruar të ardhurat e mbledhura. Nëse doni të bëni shtet, përse e nisni gjithmonë nga ne. Niseni nga vetja. Ndëshkoni abuzuesit e shifrave kolosale të buxhetit të shtetit. Apo ata ju dhimbsen, ndërsa bizneset janë të njerkës. Mjafton të kemi mirë shokë e shoqe, pa të tjerët vafshin në dreq.

Ju mungon shembulli personal. Ju mungon shembulli i ndëshkimit të korrupsionit. Ne po na mbajnë larg Evropës jo për kuponin e padhënë, se kjo ndodh kudo në botë, por për korrupsionin mastodontik, megagalaktik. Kjo është e shkruar në të gjitha raportet ndërkombëtare dhe jo një shpikje e gazetarisë.

Shteti kontrolloi mijëra biznese brenda një kohe shumë të shkurtër. Po përse nuk e bëri këtë dy muaj më parë, apo kishte halle të tjera? Përse tërë kohës ka fushata? Nëse ka fushata do të thotë që normalisht ligji nuk zbatohet, por zbatohet vetëm për fushatë.

Do të kishim mbështetur këtë luftën kundër informalitetit nëse do të ishte serioze, por kjo ka për qëllim thjesht që të mos bëjmë pushim as në muajin që mund të bëjmë pushim. Nuk ka paqe nën ullinj.

Le të marrim luftën kundër evazionit fiskal në pikat e karburanteve. Asaj i mungon krejtësisht serioziteti. Si ka mundësi që dhjetëra pika kishin hequr pompën nga kasa fiskale? A ka përgjegjës për këtë? Flas nga ana e shtetit? Çfarë kanë bërë kontrollorët? A ka një analizë të brendshme, si erdhi kjo dukuri? Përse nuk kontrollohet në të njëjtën kohë dhe cilësia e karburanteve? Ka me dhjetëra video nëpër rrjete sociale ku njerëzit ankohen për cilësinë, na falni për ujshmërinë e karburanteve. A është shteti përgjegjës për këtë apo shteti sheh vetëm atë që i duhet: paratë që mbledh vetë, por jo dëmin që na shkaktohen neve si qytetarë.

Nxirr abuzime Kontrolli i Lartë i Shtetit, asnjë gjemb në këmbë askujt. Ka ardhur koha të pranohen fajet që janë bërë duke mos ndërtuar asnjë administratë tatimore serioze. Është dhe çështje karme, sepse vite të shkuara rilindasit talleshin me paketat fiskale të qeverisë së PD, duke i akuzuar për ndryshime të shpeshta. Po tmerrim biznesi nuk ka pasur dhe pikërisht ky është tmerrim biznesi. Të dëmtosh një sipërmarrje për një copëz letër – logjikë e palogjikshme; të krijosh sisteme të reja tatimore – logjikë e palogjikshme; të turpërohesh publikisht, kur dy ditë pasi ke mbyllur një biznes, biznesi hapet përsëri – logjikë e palogjikshme.

Pra, si përfundim mund të themi se u kënaqëm me propagandë dhe këtë verë. Propagandë në pikë të hallit. Propagandë në pikë të diellit. Shto ligje, shto norma, shto kontrolle dhe situata është gjithmonë më keq se sa më parë. Qasje të reja nuk ka. Të vjetrat kanë dështuar./Mapo