Transmetuar më 19-08-2019, 10:58

Ditën e sotme pritet të konstituohet Këshilli Bashkiak i Shkodrës. Por për shkak se Partia Demokratike ka lajmëruar protestë e cila tashmë ka nisur, konstituimi do të bëhet në vend tjetër.

Kështu ngritja e tij nuk do të bëhet në universitetin “Luigj Gurakuqi”, siç ishte parashikuar por tek biblioteka e Universitetit të Shkodrës.

Gjithçka për shkak se dega e PD Shkodër së bashku me ish-deputetë demokratë janë mbledhur në protestë.

Demokratët janë mbledhur përpara prefekturës, nga ku do të nisë edhe një marshim proteste drejt vendit ku pritet të bëhet konstituimi i Këshillit Bashkiak.

Disa të rinj e të reja të Shkodrës shprehën kundërshtimin për uzurpimin e paligjshëm të Bashkisë së Shkodrës nga PS nëpërmjet një gjesti simbolik. Ata rrethuan Bibliotekën e Universitetit, ku socialistët janë thirrur të konstituojnë Këshillin Bashkiak, me një shirit të verdhë, nga ata që përdor policia në skenat e krimit.

Për të rinjtë e Shkodrës është krim që Bashkia e tyre të drejtohet nga persona pa legjitimitet dhe që përfaqëosojnë pakicën e pakicës në Shkodër.

Të rinjtë janë shprehur, gjithashtu, se është krim, skenari i qeverisë, e cila detyron Këshillin e ri Bashkiak të Shkodrës të shpallë mbarimin e mandatit të kryebashkiakes Voltana Ademi dhe të bëjë zëvendësimin e saj me një nga nënkryetarët.

Nënvizohet se ky skenar, i vënë në skenë pas dorëheqjes së Valdrin Pjetrit, pa bërë të vlefshëm mandatin e tij, shkel në mënyrë flagrante ligjet që rregullojnë pushtetin vendor. “Ushtrimi i mandatit të kryetarit të bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës”, përcakton neni 60 pika 4 e Ligjit për Qeverisjen Vendore, thonë demokratët.

Konstituimi i këshillit vjen në një kohë kur kandidati socialist fitues për Bashkinë Shkodër, Valdrin Pjetri u dorëhoq.

Kjo pasi nga disa dokumente të publikuara nga Partia Demokratike, Valdrin Pjetri rezulton i dënuar në Itali për trafik droge.

Kryeministri Edi Rama deklaroi pas kësaj se fshehja e dënimit është një akt i patolerueshëm dhe se deri sa të zbardhet e vërteta ligjore, PS dhe Pjetri i kanë rrugët e ndara. /a.y/noa.al