Transmetuar më 19-08-2019, 11:41

Kanë dalë sot para Gjykatës së Tiranës dy drejtuesit teknikë të arrestuar pas ngjarjes së kësaj të premte në Tiranë, ku shembja e një skele u shkaktoi vdekjen dy punëtorëve dhe la të plagosur tre të tjerë.

“Arrest me burg” vendosi gjykata për inxhinierin e firmës së skelës “Syla”, Ilir Bendo, i cili deklaroi se nuk ka qenë i pranishëm në momentin e ngjarjes dhe se në kontratë e ka të përcaktuar se merr pjesë vetëm në montimin e skelës.

Ndërkohë “arrest shtëpie” për Xhimi Tarushin, me detyrë drejtues teknik i punimeve në firmën “Xhimi”.

Avokati mbrojtës kërkoi masë më të butë sigurie, duke deklaruar se skela ishte montuar prej 40 ditësh.

Ngjarja tragjike ndodhi në rrugën “Faik Konica” në Tiranë pasditen e 16 gushtit, ku si pasojë e shembjes së skelës së vendosur në një pallat ku po kryheshin punime, humbën jetën dy punëtorë dhe tre të tjerë mbetën të plagosur.

Nën akuzën e veprës penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, u vunë në pranga Xhimi Tarushi 41 vjeç, me detyrë drejtues teknik i punimeve në firmën “Xhimi” dhe Ilir Bendo 44 vjeç, me detyrë drejtues teknik i sigurisë së punimeve në firmën skela “Syla”.

Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e Petrit Sylës, me detyrë administrator i firmës skela “Syla”, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Kjo pasi në rrugën “Faik Konica” në pallatin Nr.2, firma “Xhimi” me administrator e drejtues teknik punimesh, Xhimi Tarushi, po kryheshin punime në fasadën e jashtme të pallatit për veshjen me sistemin termoizolues (kapot), kur u shemb skela.

Po në këtë pallat, firma skela “Syla” me administrator shtetasin Petrit Syla dhe drejtues teknik të punimeve e montimit të skelës inxhinierin Ilir Bendo, ka montuar skelën metalike për punimet në fasadë.

Si pasojë e punimeve në këtë pallat, rreth orës 15.00 të së premtes u rrëzua skela metalike, e për pasojë humbën jetën punëtorët Ergys Brahimaj, 31 vjeç, punëtor ndërtimi në firmën “Xhimi”, si dhe Orjan Kodraj, 36 vjeç, punëtor i firmës skela “Syla”.

Po nga rrëzimi i skelës mbetën të plagosur Genti Bardhi punëtor ndërtimi i firmës “Xhimi”, Euglidios Lika dhe Altin Marku, punëtor i firmës skela “Syla”. /a.y/noa.al