Transmetuar më 19-08-2019, 12:37

Teksa opozita për thuajse tre orë protestoi kundër konstituimit të Këshillit Bashkiak, ngritja e tij u bë.

Mes tensionit jashtë bibliotekës së Universitetit “Luigj Gurakuqi” mes mbështetësve të opozitës dhe policisë, brenda sallës u zgjodh kryetarja e Këshillit Bashkiak, Brisela Kadia, e cila mori 47 vota pro dhe dy të pavlefshme, duke qenë kandidatja e vetme.

Ndërkohë Këshilli Bashkiak zgjodhi edhe tre nënkryetarët e bashkisë, të cilët sipas skenarit të Partisë Socialiste pritet të drejtojnë bashkinë e veriut, pas dorëheqjes së kryetarit të zgjedhur, Valdrin Pjetri.

Tre nënkryetarët e bashkisë janë Terez Brixha, Arvit Tosja, Suada Selimi.

Ndërkohë kryetarja e Këshillit të Qarkut Shkodër, Greta Bardeli, e cilësoi nul mbledhjen e Këshillit Bashkiak dhe vendimet që ky Këshill do të marrë.

Bardeli e mbajti këtë qëndrim në sallën e mbledhjes, duke e cilësuar atë si një akt antikushtetues. Përpara se të braktiste mbledhjen, Bardeli deklaroi se anëtarët e të ashtuquajturit Këshill po konsumojnë disa vepra penale, pasi po tentojnë të ngrenë institucionet pa zgjedhje dhe në kundërshtim me dekretin e Presidentit të Republikës.

Ajo deklaroi se të gjithë ata që e kanë arkitektuar mbledhjen-farsë të ditës së sotme shumë shpejt do të mbajnë përgjegjësi ligjore dhe penale.

Konstituimi i këshillit vjen në një kohë kur kandidati socialist fitues për Bashkinë Shkodër, Valdrin Pjetri u dorëhoq.

Kjo pasi nga disa dokumente të publikuara nga Partia Demokratike, Valdrin Pjetri rezulton i dënuar në Itali për trafik droge.

Kryeministri Edi Rama deklaroi pas kësaj se fshehja e dënimit është një akt i patolerueshëm dhe se deri sa të zbardhet e vërteta ligjore, PS dhe Pjetri i kanë rrugët e ndara. /a.y/noa.al

"Kush nuk voton Brisejdën, përjashtohet nga PS!", Mesi citon urdhrin e Ramës. PD: Këshilli iligjitim

Konstituohet Këshilli Bashkiak Shkodër, protestuesit përplasen me policinë

Konstituimi i Këshillit Bashkiak, PD Shkodër në protestë “Skenë krimi”