Transmetuar më 19-08-2019, 16:03

Bashkëpunimi mes policisë shqiptare dhe asaj italiane çoi në shkatërrimin e një grupi që kryente vjedhje me armë në Itali.

Finalizimi i operacionit ndërkombëtar të koduar "Korabi" çoi në arrestimin e dy personave, banues në Peshkopi.

Në të njëjtën kohë nga policia italiane u kap edhe pjesëtarja e tretë e grupit, një shtetase nga Dibra.

Njoftimi i Policisë

"U bë kapja dhe arrestimi i shtetasve në kërkim ndërkombëtar i shtetasve B. GJ., 38 vjeç, dhe Q.A.(M), 32 vjeç, lindur dhe banues në Dibër. Gjithashtu, në Fiano Romano/Itali, u bë arrestimi i shtetases shqiptare H.R., 49 vjeçe, lindur dhe banuese në Dibër".

Shtetasit e mësipërm ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata Rieto në Itali me vendimin e datës 25.06.2019, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale "Organizatë kriminale", “Vjedhja me armë, kryer në bashkëpunim”, “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit” dhe “Mbajtja e sendeve të vjedhura”, parashikuar nga Kodi Penal Italian.

Maksimumi i dënimit  për ta është 20 vjet burg.

Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur: Me 4 maj të këtij viti, në zonën Fiano Romano në Itali të tre shtetasit e arrestuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur nëpërmjet përdorimit të armëve në banesën e shtetasit italian A.L., një sasi bizhuterish dhe shumën 60.000 euro, që ndodheshin në kasafortën e këtij shtetasi dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet të vjedhur.

Nga ana e policisë vijon puna për dokumentimin me prova ligjore edhe të vjedhjeve të tjera, që dyshohet se janë kryer në Itali nga ky grup.

Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Roma po vijojnë procedurat për ekstradimin drejt Italisë të  dy shtetasve të kapur dhe arrestuar nga Policia e Dibrës.

/a.m/noa.al