Transmetuar më 19-08-2019, 17:47

Shembja e skelës që shkaktoi vdekjen e 2 punëtorëve dhe plagosjen e 4 të tjerëve nuk është rasti i vetëm i viktimave nga aksidentet në punë.

Kryeinspektori Arben Seferaj tha se në 6 muajt e parë të këtij viti nga aksidentet në punë kanë humbur jetën 25 persona.

“Kemi 99 raste aksidentesh të ndodhura në punë, me 88 punëmarrës të aksidentuar nga të cilët 25 me pasojë vdekjen janë regjistruar pranë Inspektoriati Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore”.

Në lidhje me ngjarjen e rëndë, Seferaj tha se ndaj firmës nuk ishte kryer asnjë inspektim që prej vitit 2016, pasi Inspektoriati i Punës nuk ka mjaftueshëm staf.

“Inspektorati i Punës me burimet njerëzore që ka deri më sot mbulon me inspektime jo më shumë se 6% të bizneseve aktive në Shqipëri. Kjo është një nga arsyet pse subjekti nuk është inspektuar nga ana e Inspektoratit Shtetëror të Punës”.

Ai tha se Inspektoriati i Punës do të propozojë një paketë të re ligjore për ashpërsimin e masave ndaj subjekteve që nuk zbatojnë ligjin, me qëllim parandalimin e ngjarjeve të tilla. /Rtv Ora/