Transmetuar më 19-08-2019, 20:38

Në disa portale kanë qarkulluar shumë dilema për zhvillimet më të fundit në mediat shqiptare, ku si zakonisht, të vërtetat dhe të pavërtetat shpesh ngatërrohen.

Gjatë verës po flitet gjerësisht mbi merkaton dhe lëvizjet e drejtuesve të disa prej emisioneve më të ndjekura në ekranet tona.

Është ngritur një tymnajë për gazetarin dhe analistin Artur Zheji, për shëndetin dhe për planet e tij të ardhshme mediatike.

“360grade.al, raportoi se e gjeti Zhejin në Sarandë, duke pushuar me familjen e tij, prej disa ditësh, herë me telefon mbyllur dhe herë me telefon hapur.

“Do të doja që shumica e miqve të mi, që ua dua të mirën, të mos ndalojë së notuari në det, ashtu si po bëj unë në mënyrë të përditshme”, tha ai.

Pyetjes se në disa portale raportohet se vijoni të jeni sëmurë, pas një operacioni në Gjermani, au iu përgjigj: “Më duhet ti përgënjeshtroj. Ndoshta, ndokush ka dëshirë të jetë ashtu dhe dëshirat i shndërron në përfundime, zakon shqiptar jo i shëndetshëm ky. E vërteta është se, këto dy tre muajt e fundit, u kujdesa për shëndetin, më me vëmendje se më parë, pasi bëra një ndërhyrje kirurgjikale të lehtë dhe të shpejtë, në Gjermaninë e bekuar nga Zoti.”

“Porse fill pas kësaj, kam parapëlqyer të heq “prizat”, nga e përditshmja mediatike dhe politike shqiptare, për të ulur stresin dhe kotësinë e rënies në kurthin e lajmeve të verës, që shpesh janë të ngjashme me puçrrat që u dalin fëmijëve nga djersa e vapës. Është një jetë e re në trekëndëshin, diell, det dhe familje”

“Pastaj mungesat në Shqipëri, ndonjëherë të bëjnë më të vlerësuar se sa prania mediatike e përhershme. Është edhe kjo diçka për tu shijuar, kur mungon ca kohë, dallohet më lehtë kush të vlerëson e kush jo, ku vendin e parë e ka publiku që ka mbërritur te unë me shqetësim dhe dashuri befasuese”, u shpreh ndër të tjera Artur Zheji.