Transmetuar më 20-08-2019, 09:25

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, publikon një video me anë të së cilës tregon se si do të funksionojë struktura e posaçme Anti-Korrupsion, e njohur si SPAK.

“Në videon e kaluar, mësuat mbi Gjykatën Kushtetuese. Këtë javë, do të flasim për Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion dhe Anti-Krim i Organizuar, ose shkurt SPAK. Pse nevojitet SPAK dhe si do t’i ndjekë penalisht ky institucion rastet e korrupsionit në nivelet më të larta?”, thuhet në shkrimin shoqërues.

Më tej shtohet se në video tregohet se si SPAK do të jetë një organ i pavarur, jo i politizuar, i cili do të hetojë dhe ndjekë penalisht “të paprekshmit” e Shqipërisë, duke përfshirë zyrtarë të tanishëm dhe ish-zyrtarë të lartë.

Sqarohet se struktura e posaçme Anti-Korrupsion, është një institucion i ri kushtetues, detyra e të cilit është të hetojë dhe ndjekë penalisht korrupsionin, krimin e organizuar si dhe krimet e kryera nga zyrtarë të nivelit të lartë.

Në vijim thuhet se në sistemin e vjetër gjyqësor, zyrtarët e nivelit të lartë të korruptuar dhe bosët e krimit të organizuar ishin “të paprekshëm”, sepse gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar ose të kërcënuar nuk i nxirrnin para drejtësisë.

Po ashtu vijohet se SPAK do të jetë një organ i pavarur, jo i politizuar, i cili do të hetojë dhe ndjekë penalisht “të paprekshmit” e Shqipërisë, ku përfshihen zyrtarë të tanishëm dhe ish-zyrtarë të lartë.

Sqarohet se anëtarët e SPAK emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe jo nga politikanët e korruptuar dhe se të gjithë do të kalojnë vetingun.

Më tej nënvizohet se prokurorët e posaçëm do ti nënshtrohen monitorimit të vazhdueshëm të financave dhe telefonave të tyre për të parandaluar korruptimin apo kanosjen e tyre. /a.y/noa.al