Transmetuar më 20-08-2019, 12:54

Para se kryebashkiakët e rinj të merrnin detyrën pas zgjedhjeve të 30 qershorit, kryeministri Edi Rama pati deklaruar disa herë publikisht se asnjë punonjës në ish-bashkitë e djathta nuk do të shkarkohet nga puna, me përjashtim të atyre që janë punësuar pa kriter apo që nuk do duan të punojnë.

Kryeministri pati premtuar po ashtu se me ardhjen e kryebashkiakëve të majtë nuk do të shkarkohet asnjë punonjëse, grua apo vajzë, nga puna.

Por kryebashkiaku i sapozgjedhur i Selenicës, pas vetëm pak ditësh nga marrja e detyrës, ka firmosur brenda ditës shkarkimin e 66 punonjësve të kësaj bashkie.

Mësohet se kryebashkiaku Pëllumb Binaj ka shkarkuar punonjësit e ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, kryesisht ata të Pastrim Gjelbërimit.

Kryebashkiaku Binaj sqaroi se punonjësit e shkarkuar janë pasojë e një urdhri të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Sipas Binajt në janar të këtij viti, raporti i KLSH ka vërejtur së punonjësit me kontratë të pjesshme paguheshin në shifrën e 12 mijë lekëve të rinj në muaj.

Çka sipas KLSH është në shkelje me ligjin mbi Kodin e Punës.

Ai pretendoi se ishte lënë afati i zbatimit të urdhrit deri në muajin mars 2019.

Kryebashkiaku i ri në zonën që qeverisej nga e djathta e mori detyrën më 5 gusht dhe brenda muajit  Pëllumb Binaj shkriu ndërmarrjen e Shërbimeve Publike në bashkinë  e tij, me pretendimin se ka respektuar kësisoj urdhrin e KLSH-së. /a.m/noa.al