Transmetuar më 20-08-2019, 13:30

Nga Spartak Ngjela

Naiviteti për t’i shpëtuar Reformës në Drejtësi, e çoi Metën të nxirrte dy dekrete fantazmë të paligjshëm, sepse mendoi që, me to, mund të sillte destabilizimin e shoqërisë shqiptare me anë të "elokuencës Basha". Por ajo elokuencë, sallatë fjalësh, e degdisi Metën drejt akuzës penale dhe shkarkimit. Kurse tani, ai po vërtitet e vjen vërdallë në Kosovë e nëpër Shqipëri…

Në fillim të shtatorit vjen në Tiranë delegacioni i Venecias, i thirrur për krimin e Metës nga Komisioni Parlamentar i Hetimit të Ilir Metës.

Delegacioni ka kërkuar dokumentacion se çfarë ka sjellë realisht në shoqërinë shqiptare dekreti Meta.

“Ka sjellë përplasje shoqërore”, thonë dokumentat që i paraqiti komisionit hetimor Drejtoria e Përgjithshme e Policisë.

Kurse Meta nuk kupton dot asgjë.

Dhe po i drejtohet Bashës, domethënë Saliut, që ata të vijojnë protestat e dhunshme në shtator.

Indirekt Meta iu thotë: "unë dekretet për ju i bëra ", dhe indirekt iu shpreh hidhur faktin që ai po shkon drejt burgut për ata.

“Po, a kam ndonjë rrugë shpëtimi?" – pyet Meta.

Dhe mendja i shkon drejt e te Saliu. Kur i thotë "dua përplasje shoqërore me gjak, që të shpëtoj nga burgu".

Po Saliu? Eh, mor Metë, nuk e di ti që Saliu është i kërcënuar ndërkombëtarisht!

Por Meta vazhdon rrugën e tij të shëtitjeve të egra. Dhe ka shpresë në shtator për një përplasje të përgjakshme në Tiranë e kudo

Po Basha, a do ta këndojë sërish Himnin Kombëtar? Të vështirë e ka. Kurse Meta e pret. Por, a e di Meta që edhe Basha është i kërcënuar ndërkombëtarisht?

Jemi përpara komedisë Meta tani, sepse Meta po kërkon gjak nëpër rrugë, kurse Ambasada Amerikane sot shpjegonte goditjen penale të rangut Meta me skemën e SPAK-ut.

“Do këtë gjak në shtator”, tha Meta dje.

“SPAK- u jemi ne”, thanë sot amerikanët, flakë për flakë, me anë të ambasadës së tyre në Tiranë.

Kjo tregon se lufta antikorrupsion ka filluar. Po goditja penale e Metës kur vjen?

Është e afërt kjo goditje, sepse, menjëherë pas goditjes që duhet t’i vijë Metës në shtator, hapen negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Europian në muajin tetor të këtij viti. Domethënë, Meta është kushti i çeljes së negociatave me Bashkimin Europian? Po, kjo po kuptohet qartë: Meta tani është kushti: penalizimi i Metës hap negociatat.

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të NOA.al