Transmetuar më 20-08-2019, 13:39

Dorëzohet në KQZ dorëheqja e Valdrin Pjetrit,  si kryetar i Bashkisë Shkodër, dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, ndonëse ai nuk e mori për asnjë ditë detyrën.

Kryetarja e sapozgjedhur në krye të Këshillit Bashkiak Shkodër Brisela Kadia informoi mbi vakancën në krye të bashkisë.

KQZ duhet të shqyrtojë kërkesën për të shpallur pavlefshmërinë e mandatit të Valdrin Pjetrit si kryetar bashkie.

Valdrin Pjetri dha dorëheqjen nga mandati i kryebashkiakut të Shkodrës pesë ditë më parë, pas akuzave të hedhur nga opozita se ai është dënuar në Itali për trafik droge.

Ditën e djeshme (19 gusht) në Shkodër u konstituua këshilli bashkiak, ku Brisela Kadia u zgjidh kryetare.

Pritet të zhvillohen zgjedhje të pjesshme lokale, për kreun e ri të Bashkisë Shkodër, ndërsa opozita zhvilloi një protestë duke konsideruar ilegjitim edhe konstituimin e Këshillit bashkiak, dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit.

Kryetarja në detyrë e bashkisë, Voltana Ademi tha se do të vazhdojë të mbetet në detyrë me këshillin që është zgjedhur 4 vite më parë, deri në mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme./a.m/noa.al