Transmetuar më 20-08-2019, 14:12

Presidenti francez Emmanuel Macron ka pritur në një takim homologun rus, Vladimir Putin.

Ky takim vjen 5 ditë përpara takimit të G7-ës.

Kjo lëvizje shihet nga kritikët si një përpjekje për t’i treguar Moskës se nuk po injorohet pavarësisht se është përzënë nga ky grup, pas aneksimit të Krimesë në 2014-n.

Në një konferencë për shtyp, dy liderët bënë të ditur se biseduan për një sërë çështjesh me rëndësi strategjike por në fokus ishte përplasja 5 vjeçare me Ukrainën.

Presidenti francez sugjeroi që në javët në vazhdim të mblidhet një samit mes fuqive të mëdha për të diskutuar seriozisht këtë çështje. Ajo që tërhoqi vëmendjen në takim ishin replikat mbi protestat që po zhvillohen prej javësh në të dyja vendet.

Presidenti Emmanuel Macron apeloi që Rusia t’i përmbahet parimeve demokratike,

“Këtë verë ne bëmë thirrje për liri për të protestuar, për liri të fjalës, mendimit e për të konkurruar në zgjedhje, gjë që duhet të respektohet plotësisht në Rusi si për çdo vend tjetër anëtar të Këshillit të Evropës”, theksoi Emmanuel Macron.

Por presidenti rus dukshëm nuk e pëlqeu kritikën dhe në kundërpërgjigje u shpreh se nuk dëshironte që protesta të ngjashme me ato të “jelekëve të verdhë” në Francë, të shfaqeshin edhe në Rusi.

“Të gjithë i dimë ngjarjet e lidhura me të ashtuquajturit ‘jelekët e verdhë’, gjatë protestave të të cilëve, sipas llogaritjeve tona, u vranë 11 persona dhe 2500 u plagosën. Ne nuk do të dëshironim që ngjarje të tilla të ndodhnin në Moskë dhe do të bëjmë gjithçka mundemi për të garantuar situatën e brendshme politike dhe çdo veprim ka qenë në mënyrë rigoroze brenda kuadrit ligjor”, tha Vladimir Putin.

Ndërsa Macron më tej e quajti të pasaktë krahasimin me Francën. /a.m/noa.al