Transmetuar më 20-08-2019, 20:42

Kur duhen thuajse dy javë nga rikthimi në fushë i përfaqësueses së Kosovës në futboll, entuziazmi që ka përfshirë tifozët është reflektuar dhe në interesimin për bileta.

Kosova merr pjesë për herë të parë në eliminatoret e Europianit, që prej pranimit zyrtar nga UEFA dhe FIFA, dhe pas debutimit në kualifikueset e Kupës së Botës 2018.

Por me shkëlqimin në Ligën e Kombeve, dhe nisjen e mirë të kualifikuesve, ka një interes të jashtëzakonshëm për blera nga tifozët e Kosovës.

Në më pak se 15 minuta, të gjithë vendet në stadiumin “Fadil Vokrri” janë ezauruar, për ndeshjen zyrtare eliminatore Euro 2020, që është programuar të luhet në 7 Shtator mes Kosovës dhe Çekisë.

Për shkak të fluksit të jashtëzakonshëm në portalin Tiks.app ka patur probleme me sistemin online të biletave.

Ekspertët e teknologjisë në këtë kompani bënë të ditur se  janë bërë 1.8 milionë klikime për të provuar të kenë shansin e një vendi në stadiumin e Prishtinës.

Por po lulëzon tregu i zi. Një biletë që kushton vetëm 5 euro dhe që është blerë përmes kanaleve zyrtare, tani ofrohet ilegalisht 50 euro. /a.m/noa.al