Transmetuar më 21-08-2019, 10:31

Një vajzë adoleshente ka jetuar për 17 vite me radhë pa e ditur se në trupin e saj mbante vëllanë binjak. Specialistët thonë se bëhet fjalë për një fenomen shumë të rrallë, i cili ndodh më rrallë se një herë në një milionë lindje dhe se literatura mjekësore ka rreth 200 raste të tilla.

Siç konfirmohet në një publikim të revistës “Bmj Case Reports”, mjekët nxorën nga barku i vajzës një binjak për të cilin e reja nuk kishte pasur dijeni, ndërkohë që e mbante me vete, qysh prej lindjes.

Ky fenomen njihet si “fetus in fetu” dhe ndodh për shkak të një anomalie të rrallë të zhvillimit të fetuseve, kur njëri binjak rritet brenda trupit të tjetrit.

Raporti thotë se e reja, emri i së cilës nuk bëhet i ditur, kishte zhvilluar një tumor gjatë pesë viteve të fundit i cili ishte rritur ndjeshëm dhe gjatë kësaj periudhe ajo kishte vuajtur nga dhimbje barku.

Vajza shprehej se ndihej menjëherë e ngopur edhe pse mund të kishte ngrënë shumë pak.

Ekzaminimet e thelluara zbuluan një masë në barkun e saj, ku dhe u zbulua binjaku në bark, i cili u hoq me ndërhyrje kirurgjikale, ndërkohë që kishte përmasa 30 me 16 cm.

Ky është rasti i parë i regjistruar në trupin e një personi adult, ndërkohë që ka pasur raste të tjera që janë verifikuar në persona nën 15 vjeç. /a.y/noa.al