Transmetuar më 21-08-2019, 12:47
Armet e sekuestruara

Një operacion i policisë së Tiranës i koduar “Bulceshi” ka goditur një rast të kultivimit të bimëve narkotike, duke vënë në pranga dy persona, të cilëve iu gjet edhe arsenal armësh.

Pasditen e djeshme, e martë, efektivët e komisariatit nr.4 bënë arrestimin e L. B., 33 vjeç, banues në Zall-Bastar, Tiranë dhe P. N., 58 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë;

Kjo pasi gjatë kontrollit të territorit dhe mbi bazën e informacioneve të grumbulluara më parë, në vendin e quajtur Bulcesh, Njësia Administrative Zall-Bastar, në një zonë malore dhe me bimësi të dendur, u gjetën të kultivuara dhe u asgjësuan 60 bimë narkotike kanabis sativa.

Gjithashtu, gjatë kontrollit policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë, dy armë gjahu çifte, një armë të ftohtë thikë, një palë dylbi dhe një sasi municioni.

Aktualisht vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Ndërkohë ndaj të dyshuarve materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake e municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”. /a.y/noa.al