Gjendet i prishur/ Agjencia e Ushqimit asgjëson 21 tonë mish në depon e Bashkësisë Islame
Transmetuar më 21-08-2019, 16:38

Cilësia e ushqimit duket se është problem kombëtar.

Në Kosovë edhe më keq, pasi është abuzuar, të paktën sipas pretendimeve zyrtare të autoriteteve edhe nga Bashkësia Islame e Kosovës.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka asgjësuar rreth 21 tonë mish, në një depo të Bashkësisë Islame të Kosovës.

AUK pas kontrollit në BIK ka konstatuar se mishi i cili gjendej në depo ishte prishur dhe se nuk i plotëson kushtet për konsum.

Zëdhënësi i AUK, Lamir Thaçi ka thënë se inspektorët kanë kontrolluar mishin në depot e BIK-ut, dhe kanë vlerësuar se mishi nuk është ngrirë në kohë.

“Kapaciteti ftohës i depos nuk ka arritur që të ngrijë mishin në temperaturën e nevojshme ruajtëse dhe si pasojë ka ardhë deri tek kontaminimi apo prishja e mishit.”

“Nga kontrolli fizik dhe organoleptik është konstatuar se mishi ka filluar të ndërrojë ngjyrë, disa nga paketimet kanë pasur rrjedhje gjaku, që dëshmon se mishi është shkrirë e ri-ngrirë dhe ka filluar të kundërmojë erë (ka filluar procesi i putrifikimit)”, tha për Telegrafin zëdhënësi i AUV, Lamir Thaçi.

Thaçi shtoi se vendimi për asgjësimin e mishit është marrë bazuar në të gjeturat gjatë kontrollit.

“Bazuar në ligjet në fuqi dhe procedurave standarde të kontrollit, bazuar në të gjeturat e lartëcekura, inspektorët kanë vendosur që të bëhet asgjësimi i gjithë sasisë prej 21 tonë për shkak sepse nuk i plotëson kushtet për konsum.” /a.m/noa.al

Loading...
Loading...