Transmetuar më 21-08-2019, 19:23

Shoqata “Çamëria” ka reaguar pas dekorimit që Presidenti Ilir Meta i bëri ambasadores greke me titullin “Kalorësi i Urdhrit të Skënderbeut”.

Duke shprehur totalisht kundërshti me këtë veprim, shoqata i bën thirrje kreut të shtetit që ta tërheqë dekorimin.

Shoqata nënvizon se ambasadorja greke ka bërë të pamundurën të minojë bashkëjetesën midis shqiptarëve dhe minoritarëve, duke i bërë thirrje presidentit ta tërheqë titullin.

Deklaratë e plotë e Shoqatës “Çamëria”:

Ndoqëm sot me habi dhe zemërim të ligjshëm ceremoninë e dekorimit të ambasadores greke në Tiranë, Eleni Sourani, me titullin “Kalorës i Urdhërit të Skenderbeut”

Është për tu vajtuar se si Kalorësja e Urdhërit të Skenderbeut, do luftojë kundër Ligjit të Luftës që vendi i saj Greqia, mban paturpësisht me vendin e Skenderbeut.

Nuk dimë për cilat merita të veçanta dekorohet një individ i cili ka bërë të pamundurën të minojë bashkëjetesën midis shqiptarëve dhe minoritarëve, siç ishte rasti i Kacifas. Kur ka kërkuar heqjen e pllakës së Çamërisë nga sheshi Skënderbej, kur ka mohuar e përdhosur vuajtjet e këtij komuniteti duke i njehsuar si palë me nazizmin gjerman, e në të gjitha rastet e tjera kur ka patur rol thjesht luftënxitës në problemet delikate e ende të pazgjidhura mes dy vendeve?

Nuk i dimë meritat e kësaj kalorseje të Skënderbeut, kur dhjetra pleq Çam kthehen në kufi e u grisen pasaportat Shqiptare, sepse kanë të shënuar vendlindjen e tyre Filat, Margëlliç, Paramithi, Arpic, Volë , Pargë, Artë, Gumenic, Janinë, Prevezë, etj

Presidenti i cili shpesh i referohet figurave historike, duhet të dijë mirë të bëjë dallimin mes Mic Sokolit e Esat Toptanit, e të tërheqë me urgjencë një titull i cili po shpërdorohet, sepse nuk ka asnjë arsye ti jepet këtij individi. Si përfaqësues i Unitetit të Kombit, do ti duhej që përpara se të shpërndante titujt te kjo kategori individesh, ti referohej historisë shqiptare e të kishte ndjeshmërinë e vuajtjeve dhe persekutimit të komunitetit të shqiptarëve të Çamerise, sepse nuk vlen të duash veç malet e pyjet, po mbi të gjitha lipset të respektosh shqiptarët e të sillesh me dinjitet e reciprocitet në raport me fqinjin.