Transmetuar më 21-08-2019, 21:40

Roma ka zyrtarizuar sot afrimin e mbrojtësit të krahut të djathtë, Davide Zappacosta nga ekipi i Chelsea.

Ai i bashkohet ekipit verdhekuq në formën e huazimit me të drejtën e blerjes në fund.

Gjatë njoftimit për transferimin e lojtarit nga klubi italian i Romës, bashkëngjitur me foton e lojtarit më të ri, klubi roman ka nxjerrë dhe lajmërimin për humbjen e shqiptares Bleona Mata.

Bleona Mata u zhduk kur ishte 6 vjeçe.

Ajo pasditen e 22 majit të vitit 2010 nuk u kthye më në shtëpi, teksa kulloste bagëtitë në malin e fshatit Zapod të Kukësit dhe prej asaj dite e ëma e kërkon por pa e gjetur se ku ndodhet.

Prej asaj dite nuk dihet asgjë rreth fatit të saj.

Ekipi i Romës është i angazhuar prej kohësh me nismën për gjetjen e fëmijëve të humbur në Itali.

Falë bashkëpunimit të shkëlqyer të Qendrës Kombëtare të Fëmijëve të Humbur në Shqipëri, një shërbim i përbashkët i CRCA/ECPAT Shqipëri dhe ALO 116, dhe Global Missing Children Netëork (GMCN), ekipi i Romës pranoi që adresa e tyre në Twitter të përdorej gjatë periudhës më të “nxehtë” të merkatos për të bërë publike emrat e fëmijëve të humbur, të  përzgjedhur nga çdo shtet!

Rasti i Bleonës, e cila u shpall në kërkim disa muaj më parë në Britani, u gjykua më i përshtatshmi, për shkak të dyshimeve që ajo mund të jetë parë edhe në Itali!

Ka pasur dyshime se Bleona është parë në Itali apo Angli, edhe Roma gjatë prezantimit të lojtarit të saj, publikoi sot edhe foton dhe lajmin e humbjes së vajzës nga Kukësi./a.m/noa.al