Transmetuar më 22-08-2019, 10:46

“Jam krejtësisht i pastër dhe vazhdoj takimet me popullin”. Ky është reagimi i Agim Kajmakut, kryebashkiakut të Vorës në një prononcim për RTV Ora pak minuta pasi Partia Demokratike i kërkoi prokurorisë verifikimin e figurës së tij.

“Ai dyshohet se ka qenë i arrestuar/ndaluar në Greqi dhe, më pas, ndaj tij është marrë masa e dënimit dhe dëbimit nga autoritetet përgjegjëse greke”. thuhet në kërkesën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD që i ka dërguar sot Prokurorisë.

Agim Kajmaku pranoi se ka punuar në Greqi por nuk ka pasur asnjë problem.

“Jam krejtësisht i pastër dhe vazhdoj punën në krye të bashkisë. Aktualisht jam duke vazhduar takimet me popullin”, u shpreh ai gjatë prononcimit.

Ndër të tjera, ne dokumentin e PD-se theksohet fakti se për 12 vjet me radhë, Agim Kajmaku nuk ka udhëtuar në Greqi, megjithëse ka jetuar aty disa vjet me një emër tjetër.

“Në Formularin e Vetëdeklarimit shtetasi Agim Kajmaku alias Jorgo Toro ka deklarur se ka jetuar për 5 vite në Greqi. Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se shtetasi Agim Kajmaku alias Jorgo Toro nga periudha 2004- 2016 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Greqisë, çka përbën një indicie për saktësinë e të dhënave të bëra publike më parë”, argumenton PD në kërkesën për verifikimin e figurës së Agim Kajmakut.

PD i kërkon Prokurorisë verifikimin e kryebashkiakut të Vorës: Me dy emra, i arrestuar në Greqi