Transmetuar më 22-08-2019, 13:59

Partia Demokratike përmes ish deputetes së  Shkodrës, Izmira Ulqinaku, ngriti akuza të forta për Tom Doshin, Pëllumb Gjokën dhe Senida Mesin.

Për ish zv. kryeministren, Senida Mesi, që lëshoi dje akuza të ashpra ndaj Bashës, ajo tha se çështë një vegël e Tom Doshit dhe krimineleve të tjerë të Edi Ramës.

Nga selia blu ajo ngriti edhe disa pyetje dhe kërkoi shpjegime nga PS se përse nuk distancohet nga kriminelet.

“Edi Rama u soll sot si një burracak, që fshihet pas fustanit të grave në përpjekje për të mbuluar lidhjet e tij me trafikantin e drogës Pëllumb Gjoka. Duke u fshehur pas fustanit të Senida Mesit, Edi Rama kërkon t’i shmanget të vërtetës. E vërteta që PD dhe Lulzim Basha po thonë prej 6 vjetësh është se Edi Rama e mori pushtetin dhe po e mban atë me kriminelët.”

“Nëse Senida Mesi do të kishte moral dhe integritet, nuk do të përdhoste socialistët e Shkodrës, duke u bërë vegël e Tom Doshit dhe kriminelëve të tjerë të Edi Ramës. Senida Mesi ka detyrimin të sqarojë socialistët e ndershëm dhe qytetarë shkodranë:

Pse ka lejuar që Partia Socialiste e Shkodrës t’i dorëzohet krimit të organizuar?

Pse heshti, kur socialisttëve të ndershëm të Shkodrës iu imponua një kandidat i dënuar për trafik droge?

Pse e vuri veten në pozitat e shërbëtores së krimit të organizuar në Shkodër?

Ulqinaku tha se gjatë kohës së Bashës, kriminelet ishin pas hekurave. Ajo shtoi se PD me Lulzim Bashen është e vendosur ta pastrojë Shqipërinë nga llumi i krimit dhe ta drejtojë vendin drejt Bashkimit Europian.

“Qytetarët e Shkodrës, socialistë, demokratë dhe pa parti e kanë të qartë se, njësoj si Edi Rama, edhe Senida Mesi, është e gatshme që për pushtet, të bëjë pakt me djallin kundër interesit të shkodranëve.”

“Në Shkodër Edi Rama qeveris me Tom Doshin, që socialistët e Shkodrës e kanë shpallur non grata, njësoj si Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Në Velipojë qeveris me Pëllumb Gjokën, që ble vota për Edi Ramën dhe pastron paret e pista të drogës bashkë me Tom Doshin me lejen e Edi Ramës mu në mes të Tiranës.”

“Bashkëqeverisja e Edi Ramës me krimin është dështimi më i madh i PS në këto 30 vjet dhe, bashkë me PS, është dështimi më i madh i Shqipërisë!”

“Gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike dhe kohës kur Lulzim Basha ishte Ministër i Brendshëm, bosët e krimit të organizuar ishin prapa hekurave të burgut. U deshët të vinit ju në pushtet që trafikantët, vrasësit dhe përdhunuesit nga burgu, të na i çonit në zyrat e shtetit dhe t’ia impononit qytetarëve si deputetë e kryetarë bashkie”, ishin akuzat që ngriti ndaj rivalëve të PS-së, ish-deputetja demokrate e Shkodrës. /a.m/noa.al