Transmetuar më 22-08-2019, 15:26

Duke kopjuar ndoshta idenë e Presidentit të SHBA-ve Donald Trump, i cili propozoi dhe po ndërton një mur me Meksikën për të ndalur emigracionin e paligjshëm, një politikan nga Mali i Zi propozon të njëjtën gjë, për të ndërtuar një mur me Shqipërinë dhe Kosovën, duke pretenduar se kështu mund të ndalet mafia dhe droga.

Kryetari i një partie populiste opozitare në Malin e Zi ka propozuar ngritjen e një muri me Shqipërinë dhe Kosovën, si zgjidhje për ndalimin e trafikut të drogës.

Kryetari i partisë populiste "Lëvizja për Ndryshime", Nebojsha Medojeviç, deklaroi të mërkurën (21 gusht) se qëllimi i pengesës kufitare është ruajtja e sigurisë së vendit.

“Ky mur nuk duhet ndërtuar për faj të popullit shqiptar apo malazez, por për të na mbrojtur nga mafia malazeze dhe shqiptare që e kanë kthyer kufirin tonë në Eldorado për trafikimin e drogave, cigareve, armëve luftarake, kimike e biologjike, emigrantëve dhe gjithçka tjetër që mund të shitet në tregun e zi”, theksoi Medojevic.

Opozitari Medojeviç në vitin 2008 kandidoi pa sukses për president edhe me mbështetjen e disa partive minoritare shqiptare.

Ndërkaq ai aludoi se disa nga këto të fundit tani po përfitojnë financiarisht.

Duke postuar një grafik të rrugëve ilegale të trafikimit në Ballkan, sipas tij, lidhjet me kriminelët janë shfrytëzuar edhe nga politikanë të rajonit, mes tyre kryeministri shqiptar dhe shtetarë të Kosovës.

“Nuk kam dyshim se mafia shqiptare përkrah shumë parti politike dhe politikanë në Malin e Zi.”

“Këtu flas kryesisht për socialdemokratët në pushtet, por edhe partitë dhe politikanët shqiptarë që bashkëpunojnë me të dhe që janë bërë milionerë brenda natës.”

“Shërbimet sekrete malazeze kanë të dhëna për veprimtaritë e Naser Kelmendit, Lukës apo vëllezërve Osmani dhe kontaktet e tyre me Thaçin, Haradinajn, Ramën.”

Deklaratat e Medojeviç u cilësuan si të pavend, madje shokuese nga përfaqësues të partive shqiptare në vend, dhe si nxitëse të urrejtjes ndërshtetërore.

Shqipëria dhe Mali i Zi po punonin bashkarisht me policitë dhe ushtritë përkatëse për përmirësimin e patrullimit, kontrolleve dhe sigurisë ndërkufitare.