Transmetuar më 23-08-2019, 07:30

Sektori privat po udhëheq ritmet e rritjes së pagave, ndryshe nga sektori shtetëror, i cili po ndjek një politikë të moderuar në fushën e pagave, për shkak të shtrëngimit fiskal që ka ndjekur qeveria në këto vite, sidomos në fondin e pagave për punonjësit publikë.

Paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në tremujorin e parë në terma nominalë rezultoi 4.9% më e lartë, analizoi Banka e Shqipërisë, por sipas saj kjo rritje ishte më e fortë në sektorin privat.

Në sektorin privat, rritja vjetore e pagës mesatare mujore rezultoi 4.9% në terma nominalë dhe 3.3% në terma realë, ndërsa në sektorin shtetëror, rritjet përkatëse ishin 2.8% dhe 1.2%.

Midis aktiviteteve të shërbimeve, paga mesatare mujore vijoi të shënojë rritjet më të larta në degët “Arte, argëtim e çlodhje dhe aktivitete të tjera shërbimi” e “Tregti, transport, akomodim dhe shërbim ushqimor”, dhe midis aktiviteteve prodhuese në “Industri”.

Në rritjen vjetore të pagës mesatare mujore ka ndikuar gjithashtu rritja e nivelit të pagës minimale në vend. Paga bazë minimale mujore për punonjësit, në shkallë vendi, u rrit nga 24,000 lekë në 26,000 lekë në tremujorin e parë 2019 (8.3% nominale vjetore; 6.8% reale vjetore).

Sipas të dhënave të INSTAT-it, 28.7% e të punësuarve kontribuues marrin një pagë deri në nivelin e pagës minimale zyrtare. Ndër vendimet e tjera të qeverisë lidhur me pagat e sektorit publik është edhe rritja e tyre për kategori të caktuara, të hyrë në fuqi në tremujorin e dytë, shkruan ‘monitor’.

Ndikimi i tyre pritet të reflektohet në kahun rritës për ecurinë e pagës mesatare mujore në ekonomi, në tremujorin e dytë të këtij viti.