Transmetuar më 23-08-2019, 11:40
Foto ilustruese

Një operacion i policisë së Tiranës i koduar “Aleati” ka vënë në pranga një person, i cili lëvizte me armë në çantë, ndërkohë që rezultonte në kërkim për plagosje

Efektivët e policisë së komisariatit nr.6, mbrëmjen e djeshme, e enjte, në momentin e kapjes në një lokal, të dyshuarit iu gjet me vete në çantën e dorës një armë zjarri pistoletë, me 5 fishekë luftarakë.

Pas informacioneve të marra nga qytetarët për një person në kërkim, i cili ndodhej në një lokal në rrugën “Teodor Keko” dhe dyshohej se kishte dhe armë zjarri me vete, uniformat blu organizuan operacionin duke vënë në pranga të dyshuarin.

Kështu u arrestua Albert Gjonpalaj 23 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.

Ndaj të riut Gjykata e Tiranës, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg’”, për veprën penale “Vrasja me dashje, e mbetur në tentativë” në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Gjonpalaj akuzohet se më 13 maj 2018, në bulevardin “Bajram Curri”, pas një konflikti të çastit, në bashkëpunim me një person tjetër ka qëlluar me armë zjarri shtetasin A. B., i cili ka mbetur i plagosur.

Ndaj 23-vjeçarit për veprime të mëtejshme, materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës. /a.y/noa.al