Transmetuar më 23-08-2019, 13:10

Dy persona janë ekstraduar mbrëmjen e kësaj të enjteje nga Amerika dhe Gjermania, pasi ishin shpallur në kërkim nga Interpol.

Më konkretisht një person i dënuar për falsifikim dokumentesh, është ekstraduar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt vendit tonë.

Interpol Tirana në bashkëpunim me Shërbimin Diplomatik të Sigurisë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë (DSS) ka ekstraduar nga SHBA-ja në Shqipëri D.M,, 32 vjeç, lindur në Elbasan.

Në aeroportin “Nënë Tereza” me ndihmën e Agjencisë për Emigracionin dhe Doganave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ICE-ERO), Shërbimi Diplomatik i Sigurisë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë (DSS), u ka dorëzuar specialistëve të Interpol Tirana 32-vjeçarin D.M.

I riu ka vuajtur dënimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi ka qenë i dënuar me 5 vjet burg nga Gjykata e Illinois/SHBA, me vendim penal nr. 10CR217, datë 11 maj .2011, për veprën penale “Vjedhja me armë, kryer në bashkëpunim”.

Gjithashtu ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Tiranës e ka dënuar për veprën penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”.

Po mbrëmë është ekstraduar nga Gjermania, një person i kërkuar për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike” në bashkëpunim, mbetur në tentativë.

21-vjeçari A. Xh., lindur në Gjoricë e Epërme, Dibër, u ekstradua nga Mynihu, Gjermani.

I riu ishte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e për Krimet e Rënda Tiranë , në 15 korrik 2017, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike” në bashkëpunim, mbetur në tentativë.

Kjo pasi në 29 prill 2017 oficerët e policisë kufitare kanë sekuestruar 104,75 kg kanabis sativa, të cilën shtetasi A. Xh. ka tentuar ta trafikojë nëpërmjet kufirit tokësor drejt Maqedonisë së Veriut. /a.y/noa.al