Transmetuar më 23-08-2019, 13:25

Momente tmerri. Është mbyllur me një tragjedi koncerti i Dhurata Dora dhe bashkëpunëtorit të saj, reperit francez, “Soolking”, në Algjeri. Të dy këngëtarët nuk kanë dhënë ende asnjë version mbi ngjarjen e rëndë.

Dhurata Dora ka kënduar këngën “Zemër” bashkë me “Soolking”, në këtë koncert.

Një nga këngët e reperit, “Liria”, kushtuar lëvizjes së revoltës "Hirak", është kthyer në himn për të rinjtë dhe popullin protestues algjerian, ndaj edhe kishte një interes të jashtëzakonshëm për koncertin e tyre.

Koncerti ishte për t’u pasur zili nga interesimi i fansave, deri në atë pikë sa të mos krijonte trazira në hyrje prej atyre që po prisnin për koncertin. Brenda stadiumit, reperi vendas “Soolking” kishte ftuar edhe disa miq artistë të tjerë, si Fianso, Alonzo dhe L’Algérino, për t’iu bashkuar në skenë.

Por padurimi i spektatorëve bëri që një stampedë të shkaktonte disa të vdekur dhe me dhjetëra të plagosur.

Mediat algjeriane flasin për pesë të vdekur, tre djem dhe dy vajza. Viktimat ishin të rinj midis 13 dhe 22 vjeç. Tetë të tjerë u transportuan në spital “në gjendje kritike” dhe tridhjetë e dy raportohen të plagosur në gjendje më të qëndrueshme.

Raportohen rreth 80 të lënduar gjithsej.

Duhet thënë se popullariteti i reperit që jeton në Francë është shtuar këto muajt e fundit pasi një prej këngëve të tij, "La Liberté", “Liria” i është kushtuar lëvizjes së revoltës "Hirak" kundër sistemit Bouteflika, dhe është bërë himn për protestuesit e kombit algjerian.

Ndërkohë pas tragjedisë kanë shpërthyer kritika të forta, duke këshilluar reperin, “Mos ejani më kur jeni të paaftë pasi  vratë pesë të rinj nga pakujdesia. Të rinjtë që erdhën tek ju! Koncerti u organizua nga Zyra Kombëtare e të Drejtave të Autorit (Onda), një organ publik.” Ndërkohë të tjerë thonë se nuk ka qenë përgjegjësi e tij, siguria e munguar.

“Kishte shumë njerëz, një atmosferë e ngrohtë, por kurrë nuk mund të kishim imagjinuar diçka të tillë. Dhe ne nuk kuptuam asgjë. Jam i shtangur. Është e vërtetë që stadiumi ishte shumë i vogël për koncertin. Por në të njëjtën kohë, pati një ekran gjigant për të parë shfaqjen jashtë, në qytet dhe ajo transmetohej në TV Algjerian. Njerëzit që nuk mund të hynin brenda mund të shihnin prapë shfaqjen,” tha një i pranishëm për mediat franceze. /a.m/noa.al