Transmetuar më 25-08-2019, 09:51

Policia e Lezhës del me deklaratë lidhur me shpërthimin e ndodhur mbrëmjen e së shtunës në një karburant, ku konfirmohet se janë shtatë persona të plagosur, mes tyre dy fëmijë të vegjël.

Bëhet me dije se, rreth orës 22:10, në aksin rrugor Lezhë- Milot, në kryqëzim të Shënkollit, në një karburant, ka shpërthyer dhe ka marrë flakë një bombol gazi që shërbente për furnizimin me gaz të automjeteve.

Për pasojë janë lënduar pesë persona që ndodheshin në një mjet që po furnizohej me gaz Bardhok Bushati 36 vjeç, vëllai i tij Altin Bushati, 33 vjeç, nusja e Bardhokut, Donika Bushati, 33 vjeçe dhe dy vajzat e mitura të çiftit 5 dhe 2 vjeçe dhe dy punonjës pranë karburantit, shtetasit N.P., 40 vjeç dhe P.L. 31 vjeç, si dhe janë dëmtuar e djegur disa automjete që ndodheshin të parkuara.

Të plagosurit N.P., dhe Bardhok Bushati, ndodhen në Spitalin e Traumës në Tiranë për ndihmë mjekësore më të specializuar, ndërsa të lënduarit e tjerë ndodhen në spitalin e Lezhës jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë pas njoftimit të marrë për ngjarjen, forca të shumta policie dhe disa zjarrfikëse shkuan në vendngjarje, ku zjarrfikëset bënë të mundur fikjen e plotë të zjarrit duke shmangur plotësisht rrezikun e përfshirjes nga flakët të depozitave të karburantit.

Policia mori masa duke vendosur perimetrin e sigurisë e largimin e të gjithë qytetarëve nga perimetri i sigurisë, si dhe bllokimin e aksit rrugor duke i menaxhuar e drejtuar për në akse të tjera lëvizjeje.

Nga hetimet paraprake, dyshohet se ngjarja ka qenë aksidentale, ndodhur nga një defekt teknik në sistemin e gazit. Megjithatë, vazhdon puna për hetimin e plotë të rrethanave të ngjarjes nga specialistët dhe ekspertët përkatës, për përcaktimin e saktë të shkaqeve të saj. /a.y/noa.al