Transmetuar më 25-08-2019, 10:10

Një person me banim në Illionois të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili ishte prekur nga një sëmundje në rrugët e frymëmarrjes si pasojë e përdorimit të cigareve elektronike, gjeti vdekjen.

Lajmi u bë publik nga Departamenti i Shëndetit të SHBA, duke deklaruar se është viktima e parë e këtij lloji që gjen vdekjen nga përdorimi i cigares elektronike.

Identiteti i viktimës nuk bëhet me dije, ndërkohë që thuhet se në SHBA, po vjen gjithnjë e në rritje numri i të prekurve nga sëmundjet në mushkëri, si pasojë e përdorimit të cigareve elektronike.

Pikërisht për shkak të problemeve serioze në mushkëri nga përdorimi i cigareve elektronike, janë 153 numri i personave të shtruar në spital në SHBA.

Shtetet me pacientet e sëmurë janë California, Connecticut, Florida, Illinois, Indiana, Iowa, Minnesota, Michigan, North Carolina, New Jersey, New Mexico, New York, Pennsylvania, Texas, Utah dhe Wisconsin, ku personat e sëmurë janë kryesisht të rinj.

Që të gjithë kanë mbërritur në ndihmën e shpejtë me simptoma serioze, si vështirësi në frymëmarrje, lodhje ekstreme, kollë dhe dhimbje në kraharor.

E vetmja e dhënë e përbashkët është fakti se pacientët kanë deklaruar se kanë përdorur cigare elektronike. Ajo që e bënë të vështirë diagnozën e kësaj “sëmundje të re”, janë simptomat e ngjashme me sëmundje të tjera, shkruan noa.al.

Në disa raste dyshohet se të sëmurët e kanë blerë cigaren elektronike në rrugë dhe jo tek shitësit e autorizuar. /a.y/noa.al