Transmetuar më 25-08-2019, 11:41

Kanë dalë sot para Gjykatës së Tiranës për tu njohur me masën e sigurisë, personat e arrestuar lidhur me vrasjen e të riut Indrit Çelaj, teksa po montonte një kondicioner, në një vilë pranë rrugës “Myslym Shyri”.

“Arrest me burg” ka caktuar gjykata për babanë e dy të shpallurve në kërkim si të dyshuarit kryesor për krimin Griseldo Kusi dhe Alban Kusi, Bujar Kusi.

E njëjta masë sigurie është dhëna nga gjykata edhe për Ferdinand Bakallin dhe Ali Sulën, ndërsa “arrest shtëpie” është caktuar për Luan Çakën.

Ata akuzohen për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Moskallëzim krimi”.

Ndërkohë kamerat e sigurisë të vendosura në vilë kanë zbardhur gjithë ngjarjen, teksa të arrestuarit në gjykatë, kanë mohuar që ta kenë parë krimin.

Dy vëllezërit e akuzuar për vrasjen e punëtorit të kondicionerit në vilën e tyre në Tiranë, kanë kërkuar që ta heqin fajin nga vetja, duke i kërkuar shokut të tyre që ta merrte përsipër.

Kjo pasi i dyshuari Lorenc Veliaj, gjithashtu i ndaluar, në dallim nga ata, nuk kishte precedentë të mëparshëm penalë.

Është kjo taktika e zgjedhur nga 31-vjeçari Griseldo Kusi dhe vëllai i tij Alban Kusi 28 vjeç, në tentativë për ti shpëtuar arrestimit për vrasjen e 26-vjeçarit Indrit Çelaj, krim i ndodhur mesditën e së enjtes.

Por 27-vjeçari Lorenc Veliaj, nuk ka pranuar dhe pas ndalimit nga policia ka treguar gjithë çfarë i kanë kërkuar dy vëllezërit, çka çoi në zbardhjen e krimit.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera, rezultoi se në ambientet e katit të parë të godinës trekatëshe, Griseldo Kusi, 31 vjeç, në bashkëpunim me vëllanë e tij, Albano Kusi, 28 vjeç, pas një konflikti të çastit me Indrit Çelaj, teknik kondicionerësh, i cili po kryente kondicionimin e vilës, ka plagosur rëndë me armë të riun, i cili gjeti vdekjen në spital mëngjesin e së premtes.

Gjithçka pas një konflikti mes dy vëllezërve Kusi me punëtorin e ndjerë, për rrjedhjen e ujit të kondicionerit. /a.y/noa.al