Transmetuar më 25-08-2019, 13:44

Kryeministri Edi Rama vijon të ndajë qëndrimet e artistëve, lidhur me çështjen e shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit të një godine të re.

Ditën e sotme ai ka ndarë qëndrimin e aktorit dhe regjisorit Genc Fuga, për ngritjen e një godine të re.

Rama thotë se aktori dhe regjisori Genc Fuga është diplomuar në Londër dhe përveçse pedagog në Universitetin e Arteve, ai i ka dhënë publikut me dhjetëra role për tu mbajtur mend, si në teatër ashtu edhe në kinema.

Kryeministri deklaron se Fuga e ka shprehur që herët domosdoshmërinë për një teatër të ri e dinjitoz, me të gjithë parametrat që duhet të ketë një Teatër i vërtetë Kombëtar.

Qëndrimi i Genc Fugës

Jam pro ndërtimit të një teatri të ri, duke ruajtur territorin dhe ç’është më kryesorja, duke negociuar shumë fort për këtë pasuri, mbase jo të teatrit në vetvete, jo të ministrisë në vetvete, por këtë pasuri tonën. Do doja një teatër me teknologjinë e fundit të magjisë, mund të përmend podet pneumatikë, hapësira të tjera për lëvizjen e dekorit, teknika skenike që kanë evoluar e që patjetër, në kushtet aktuale, mendoj se po limitohen edhe regjisorët në shprehjen e figurave të tyre artistike.

Një teatër i ri i përshtatshëm për teatër është kërkuar që në 1953. Teatri Kombëtar tani është një ndër skenat më të painvestuara. E vetmja teknologji bashkëkohore që mund të ketë skena e teatrit aktualisht është një rotativë, pra një shpikje që në 1800, e trashëguar nga operat. Xhepat skenikë nuk mjaftojnë, hapësirat mbrapa nuk mjaftojnë, janë bërë vetëm restaurime apo mballoma, por nuk është zgjidhur hapësira e përshtatshme për këtë gjë. /a.y/noa.al