Nga Grid Rroji: Mbi konfliktin për kontrollin e shtetit
Transmetuar më 25-08-2019, 22:28

Dy fjalë mbi konfliktin për kontrollin e shtetit: Ndërkohë që makina e zhurmës propagandistike vazhdon tam tamet e verës me butaforinë e zakonshme, shenjat e konfliktit të madh mbi kontrollin e shtetit janë të dukshme. Paria e Tiranës e ka nuhatur se ka rënë në grackë me ndryshimet kushtetuese të 2016-17ës dhe po përdor arsenalin fundor për t’i ikur lakut.

Megjithëse Paria i druhet konfliktit të rrugës, sidomos kur nuk është i kontrolluar nga marrëveshje paraprake mes palëve, mobilizimi i segmenteve luftarake përkatëse është i dukshëm me sy të lirë. Interesi i tyre i përbashkët është mbijetesa e vet dhe klaneve përkatëse dhe shtysa për të bashkëpunuar është vetëdija se instrumenti i vetëm për sintezën e tyre të sigurisë është shteti. Dhe sistemi i drejtësisë është palca që transmeton urdhërat ndaj sistemit nevralgjik të shtetit, me humbjen e tij humbet kontrolli. Pra humbja e kontrollit të shtetit përbën kyçin e mbijetesës së tyre ndaj edhe përtej retorikës boshe lufta është pa mëdyshje e egër. Ja disa nga shenjat që vërehen me sy të lirë se Paria ka frikë dhe po gatitet për luftë me të gjitha mjetet.

Kryeministri Rama pasi zëvendësoi këdo që mund t’a kishte rival në Parti me puthadorë servilë si dhe anonimë të Rilindjes të cilët i detyrohen atij karrierën politike, vendosi përfaqësues të krimit nëpër bashkitë kryesore. Erion Velinë e shmangu nga Rilindja duke i lënë në derë Tiranën pa rival dhe duke ja ulur automatikisht aksionet politike deri në përballjen tjetër. Ndërsa në Shkodër, kur u desh ndërhyrja e tij për të shtypur revoltën e heshtur të PSsë së vjetër dërgoi Tom Doshin, i cili është identifikuar nga ShBAtë si element kriminal. Edi Rama kërkon të tregojë se e ka një kohortë kriminale që do luftojë për të kur të vijë dita. Siç tregon haptazi pozicionimi i shtypit të dorës së vjetër, tanimë PSja e vjetër e sheh Edi Ramën në të njejtin plan me Sali Berishën por me avantazhin se ka çelësat e "Partisë". Lufta për mbijetesë e Edi Ramës kalon nga kontrolli i PSsë dhe mbajtja e pushtetit me anë të së cilit mban urtë të vetët. Ndaj edhe dhënia fushë të lirë oligarkëve dhe klaneve kriminale është e shpjegueshme jo vetëm me etjen skizofrenike për pushtet por edhe me pamundësinë për t’u sjellë ndryshe.

Sali Berisha i rrezikuar familjarisht dhe i djegur publikisht nga ShBAtë me lajmin e mohimit të vizës për gjithë familjen po rri i heshtur, zhytur thellë në vrimën e vet, por nëndheshëm ka mobilizuar fort segmentet e veta kriminale. Herë duke përdorur ndonjë ish kryebashkiake mendjelehtë e cila dogji veten për hallet e Zenit, e herë me përfaqësues të dhunshëm të Trustit si ai boksieri shkodran, Sali Berisha po kërcëllet dhëmbët më fort se kurrë qysh prej 97ës. Halli i Berishës si kryetar i Trustit Kriminal të Gështenjave ndryshe nga sa shpreson ndonjë trutharë nuk është "ringjallja" e cofëtinës që është sot PDja por ruajtja e familjes dhe privilegjeve. Roli i Lulzim Bashës në këtë përpjekje është i dyfishtë. Të mbrojë PDnë nga ish bashkëpunëtorët e Berishës në pushtet, të cilët edhe pse të kontrollueshëm me dosje korrupsioni, mund t’ja hanin kokën ish shefit siç ndodh rëndom në politikë. Sali Berisha e njeh mirë lojën politike në Shqipëri dhe nuk i beson kurrkujt. Siç shprehej një ish bashkëpunëtor i tij në krime të shumta, "kur i duhet, ky hap thesin e asaj Partisë së vjetër dhe asaj skemi ç’ti bëjmë". Roli i dytë i Bashës është ai i bashkëbiseduesit me Edi Ramën. Në këtë rol Basha ka treguar se është lojtar pa skrupuj duke vendosur në tryezë edhe tradhtinë ndaj tutorit, por edhe shumë i dobët si strateg. Duke u sjellë si njeri pa bosht e pa karizëm të asnjë lloji, peltja politike Basha është bërë qesharak dhe rrezikon të jetë qingji i sakrifikuar i Berishës kur loja të jetë në pikë kyçe.

Nga ana e vet, Presidenti Ilir Meta i cili me sa duket ka nuhatur se është i pari në radhë është i vetmi që ka tre vjet që ka dalë haptazi që me referencën e Mujo Ulqinakut. Turin veroro- malor e konceptoi si sinjal se nuk i druhet të qenit kaçak malesh. Megjithë luftarakërinë e fjalës, Meta si ujk i vjetër kërkon marrëveshje me të gjithë dhe mbi të gjitha i druhet një marrëveshjeje Rama-Basha që e çon atë vetë në humnerë. Kërkesa e vazhdueshme edhe pse e pafrytshme për t’a nxjerrë Berishën nga vrima, u pasua nga tregimi i forcës 600 mijëshe në Samitin e Jeniçerëve ku u zotuan si Abaz Aliu t’a mbrojnë me gjak kauzën. Në sytë e shumëkujt Meta demonstroi se po erdhi puna në fund edhe Klani i Lunxhërisë do e mbështesë në luftën kundër Perëndimit. Me radhë të konsoliduara, klani jeniçer tanimë ka vendosur vijat dhe po gatitet të bëjë atë që ka ditur më mirë ndër shekuj.

Mirëpo megjithëse të tria palët kanë rizbuluar kombëtarizmin verbal, asnjëra prej tyre nuk e ka më legjitimitetin në popull. Kombëtarizmi i tyre është streha e fundit e horrave, sepse kur kanë patur mundësitë gjithmonë kanë zgjedhur rrugën e gabuar.

Po t’ju shtojmë këtyre veprimeve të tyre rolin e segmenteve të huaja evropiane të cilat punojnë secili për interesat përkatës, konkurrencën e Fuqive të Mëdha për influencë në rajon, dhe fqinjët grabitqarë të cilëve palët e Parisë u premtohen haptazi tanimë pa veshje intime, duket qartë udhëkryqi i frikshëm ku janë sot shqiptarët. Ky udhëkryq ka vetëm qorrsokaqe në qoftë se mbesim tek ato çka ofron Paria e Tiranës.

A kemi zgjidhje? Përgjigja është se sado keq të jenë punët ka gjithmonë zgjidhje. Në gjykimin tim çdo shqiptar që e do veten dhe kombin si një e të pandarë, që kërkon zgjidhje shqiptare, për shqiptarët e prej shqiptarëve duhet të lexojë Manifestin e Bleta Shqiptare dhe t’a vendosë veten në anën e shqiptarëve. Zgjidhja fillon aty, e më pas tek shpërndarja, përtypja dhe jetësimi i agjendës së shtetkombit shqiptar. Duhet kuptuar sa më parë se sinteza jonë e sigurisë si komb nuk përkon me atë të Parisë së Tiranës. Ata kërkojnë shpëtim me çdo kusht edhe nëse kjo do të thotë shpërbërje graduale e shqiptarëve, madje agjenda e tyre e kërkon shpërbërjen dhe tjetërsimin tonë si komb. Ndaj dhe zgjidhja e duhur, e vetmja që funksionon është shtetkombi i shqiptarëve. Vetëm kur të jemi vetëdijësuar për këtë do të kemi hyrë në rrugën e duhur.

* Qëndrimet e autorit janë personale dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht vijën editoriale të NOA

Loading...
Loading...