Ramush Haradinaj: Me asnjë çmim nuk do ta lëshojmë tokën tonë
Transmetuar më 28-08-2019, 20:07

Edhe njëherë, ndonëse ka dhënë dorëheqje, Ramush Haradinaj u shpreh i vendosur se nuk do të ketë kompromis me trojet e Kosovës.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, tha sot se nuk ka asnjë logjikë që Kosova të lejojë Serbinë të kërkojë tokë shqiptare e ndryshim të kufijve.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për këtë ka folur në tubimin përkujtimor në 82-vjetorin e rënies së heroit Ramë Bllaca, prej ku ka thënë se do ta përcjellin amanetin e tij dhe me asnjë çmim nuk e lëshojnë tokën e Kosovës.

“Ndoshta përpjekja e fundit e Serbisë për të na larguar prej trojeve tona ishte finalja e madhe e një padrejtësie që ka ushtruar Serbia ndaj nesh. Më 1999 është përmbyllur përjetësisht e drejta jonë për të qenë zot shtëpie, të mbetemi në trojet tona. Nuk është një e drejtë e humbur, por një e drejtë që duhet ta ruajmë në memorie. A ka logjikë dikush i kësaj toke ta lejojë edhe njëherë Serbinë të kërkojë tokë shqiptare, deri kur?”, është shprehur Haradinaj.

Në këtë tubim përkujtimor kryeministri në detyrë tha se ia kanë borxh heroit Ramë Bllaca që sot jetojmë në tokat shqiptare. Ai tha se porosinë e tij për atdhe do ta bartin brez pas brezi. /a.m/NOA.al

Loading...
Loading...