Transmetuar më 28-08-2019, 20:31

"Ishte një vit i paparë. Plot ankth. Plot ngarkesë për të mësuar". Kështu shprehet djaloshi shqiptar Rahman Lumi i cili shkëlqeu me prezantimin e tij në universitetin më të madh grek, Aristotelis në Selanik.

Lumi arriti të marrë 18 640 pikë dule u renditur i pari dhe fitoi të drejtën për të studiuar për inxhinieri, një nga 41 fakultetet e universitetit më të rëndësishëm shtetëror grek.

U lind dhe jeton në Nea Mudhania, zonë bregdetare e shumëpopulluar nga turistë shqiptarë dhe nga e gjithë bota në Halkidhiki të Selanikut, 18 vjet më parë nga një familje shqiptare. Dhe tani që do të jetë student është i lumtur që triumfoi mbi gjithë kandidatët e tjerë.

"Mendoj se 70 për qind e të gjithës është psikologjike. Nëse ia del këtu, nuk është më e vështirë, – thotë Rahmani.

Djaloshi ka plane konkrete për jetën e tij: "Dua të vazhdoj studimet këtu dhe pas diplomimit të vazhdoj studimet master jashtë Greqisë".

Por a dëshiron të kthehet aty ku erdhi në jetë? Rahmani përgjigjet: "Sigurisht që do të kthehem të punoj dhe jetoj në Greqi. Fundja kur të tjerët vijnë këtu përse unë duhet të largohem që këndej"? /noa.al/