Transmetuar më 29-08-2019, 11:59

Gjatë mbledhjes konsultuese të ditës së sotme me grupet e interesit për projektin e fiskalizimit, ministrja e Financave Anila Denaj paralajmëroi se në vitin 2021 të gjitha faturat do të jenë elektronike.

Denaj deklaroi se viti 2020 i vendosur si afat për nisjen e raportimit në kohë reale në administratën tatimore të të gjitha transaksioneve midis bizneseve dhe konsumatorit në kuadër të luftës kundër informalitetit mund të negociohet pas dyshimeve që janë ngritur.

Ajo bëri me dije se konsultimi i projektligjit “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit” me grupet e interesit do të shtyhet deri në 15 shtator, duke shtuar se më 2021 të gjitha faturat do të jenë elektronike.

“Ne kemi marrë një nisëm për konsultimin e projektligjit, që të shtyhet deri në 15 shtator për marrjen e mendimeve. Projektligji do të finalizohet deri në 2021. Në 2021 të gjitha faturat do të jenë elektronike. Janari 2020 është komentuar si proces dyshues. Ne do të shikojmë arsyet për ta negociuar”, u shpreh Denaj.

Ministrja shtoi se objektivi i këtij projektligji është të sigurojë të dhëna në kohë reale, një administrim të mirë të këtyre të dhënave në të ardhmen dhe nuk do të përfshijë vetëm marrëdhëniet mes biznesit dhe konsumatorit, por edhe marrëdhëniet mes bizneseve, si dhe biznesit me qeverinë, që do të finalizohen në vitin 2021. /a.y/noa.al