Transmetuar më 30-08-2019, 18:06

Lëvizja VETËVENDOSJE, e vetmja parti që ushtron aktivitet politikë në Kosovë dhe Shqipëri, kohët e fundit është duke shtuar radhët e saj, kryesisht me emigrantë, të cilët jetojnë dhe punojnë në vendet perëndimore.

Kreu i saj, Albin Kurti, pothuajse çdo ditë prezanton prurje të reja në partinë e tij, në Kosovë, teksa pritet që të zhvillohen edhe zgjedhjet e parakohshme dhe ai ka pritshmëri të larta për një fitore bindëse. Por partia e drejtuar prej tij me degë në Tiranë, po bën të njëjtën gjë.

Sot kjo parti ka bërë publik afrimin e një anëtari të ri, i cili jeton në Luksemburg.

"Luan Gashi 37 vjeç, i lindur në Tiranë, me origjinë nga Gjakova, jeton aktualisht në Luksemburg. I arsimuar në Shqipëri për drejtësi, aktualisht ai ushtron profesionin si menaxher projektesh në sektorin e aviacionit në Luksemburg."

"Në kuadër të angazhimit të mërgatës për fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje! në Kosovë, ai u prit sot në Qendrën e Lëvizjes në Tiranë nga drejtori i bordit ekzekutiv Enis Sulstarova dhe aktivistja Megi Mustafaraj. Luani u shpreh i motivuar për të mbështetur Lëvizjen Vetëvendosje, në diasporë, në fushatën "Pranvera shqiptare fillon nga Kosova",’ thuhej në njoftimin e VV, dega Tiranë./a.m/NOA.al