Transmetuar më 02-09-2019, 20:45

Marte Nikolli, nga Spaçi, e internuar në Tepelenë në moshën 10-vjeçare, me gratë e familjes dhe Ndue Gjeta folën me radhë për përballjen e vështirë me kampin, për amanetet e prindërve të tyre dhe për të zhdukurit pa gjurmë.

Në kuadër të 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve, vuajtjen e të pafajshmëve të internuar në kampin me tela me gjemba të Tepelenës, në vitet 1949-1953, ish-të internuar dhe trashëgimtarët e tyre, kishin ardhur nga i gjithë vendi dhe jashtë tij për t’u takuar në territorin e ish-kampit të internimit, në një ceremoni përkujtimore ku u nderua sakrifica dhe dinjiteti njerëzor i mijëra grave, fëmijëve dhe të moshuarve që e shkuan jetën në kazermat e Tepelenës.

A2 iu bashkua pelegrinazhit të dhimbjes së Martës dhe Ndues, të cilët mbërritën këtu kur ishin ende të vegjël, ndërsa sot me bardhësinë e flokëve dhe vijat e vuajtjes në lëkurë rrëfejnë për mbijetesën në kampin famëkeq dhe ato që humbën për të mos i gjetur më kurrë.

Të dy ata, dhjetë vjeç aso kohe, u dënuan vetëm sepse babai mori arratinë. Ai ashtu sikurse, Marta nuk e dinë sot kur i kanë familjarët që humbën.  Në këto mure shuheshin çdo ditë fëmijë. Dhe të gjithë ata që jetonin në kampin e rrethuar me tela me gjemba dukeshin të pafuqishëm për ta ndryshuar këtë fatin që i priste, atë që i mori jetën thuajse 300 fëmijëve, brenda më pak se 5 viteve.