Transmetuar më 03-09-2019, 11:59

Artisti shqiptar për krijimin e mozaikëve, Saimir Strati në kuadër të aktivitetit të 2-të Ndërkombëtar të Ditëve Artistike Niğbor, në qytetin Niğde të Turqisë ka bërë portretin e Ataturkut me 250 mijë vida në madhësi dhe përmasa të ndryshme.

Portreti i Ataturkut i përgatitur nga Strati me një punë 40-ditore mbi një bord druri 15 metra katrorë, duke përdorur 250 mijë vida me gjatësi dhe ngjyra të ndryshme, tërheq vëmendjen e artdashësve në ekspozitën e hapur në kishën historike greke në rajonin Bor.

Serkan Haliloğulları, organizatori i aktivitetit në një konferencë për media të zhvilluar në kishën historike tha se Strati punimin e tij e ka nisur më 1 prill ndërsa e ka përfunduar më 10 maj.

“Vepra që artisti ka bërë me 250 mijë vida duke punuar me orë të gjata ka fituar të drejtën për të hyrë në Librin e Rekordeve Guinness” tha Haliloğulları. Ai tha se “Rekordi është regjistruar më 8 gusht. Qëllimi ynë është që këtë tablo ta dërgojmë në mauzoleumin e Mustafa Kemal Atatürk (Anıtkabir)”.

“Ky është rekordi i 11-të i tij. Shpresojmë që të gjendet vendi për ekspozimin e kësaj tabloje, ku atëherë edhe artisti do të vijë edhe vetë. Me Stratin jemi njohur në një muze në Kosovë. Ai po nderohej me çmimin në Librin e Rekordeve Guinness. Gjatë një bisede me të i kërkova që të thyente edhe një rekord tjetër në Niğde. Pranoi, dhe kur më pyeti ‘se çfarë do të jetë tema‘ unë iu përgjigja Ataturku. Edhe ai banon në një bulevard të emëruar Ataturk dhe e ka shumë përzemër. Ai e pranoi me kënaqësi. Në kuadër të kësaj erdhi në Niğde dhe theu këtë rekord”, tha Haliloğulları, shkruan AA.

Ndërsa kryetari i Bashkisë Bor, Serkan Baran tha se falë veprës e cila ka fituar të drejtën për të hyrë në Librin e Rekordeve Guinness, ekspozita është vizituar nga më shumë se 20 mijë njerëz. Ai theksoi se aktivitete të tilla ofrojnë kontribute të mëdha në promovimin e qytetit Niğde dhe rajonit Bor./b.l/noa.al/