Transmetuar më 07-09-2019, 18:16

Përfaqësuesja e Kosovës në "Fadil Vokrri" mposhti me rezultatin 2-1 Republikën Çeke, duke arritur një fitore tjetër historike, që e afron me finalet e Euro 2020.

Në shkallët e stadiumit "Fadil Vokrri" ishte edhe presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, i cili përmes një statusi në rrjetet sociale tregoi emocionet që përjetoi në përmbysjen e rezultatit nga ekipi i Dardanëve.

“Emocione të jashtëzakonshme përjetova sot në stadiumin “Fadil Vokrri”, kur Dardanët përmbysën rezultatin duke shënuar një fitore historike ndaj Çekisë! Edhe pse pa pesë titullarë, ata treguan se shpirti i ekipit është gjithçka për Fitore!Urime edhe tifozëve të pamposhtur!”

Ishte ky mesazhi i Presidentit Meta, pas ndeshjes, ndërkohë që në mbrëmje Shqipëria përballet me Francën, edhe kjo ndeshje e vlefshme për kualifikueset Euro 2020.

Por duket se është Kosova më pranë ëndrrës së kualifikimit në Euro 2020, me paraqitjet e fundit.

Kosova me këtë 3 pikësh ka tetë pikë dhe ka marrë momentalisht kryen e grupit A kualifikues. Anglia ende nuk ka luajtur dhe pret Kosovën të martën, por edhe nëse përfaqësuesja kosovare e lëshon vendin e parë, mjafton të ruajë pozitat e vendit të dytë për të arritur objektivin e saj madhor. /a.m/NOA.al