Transmetuar më 09-09-2019, 08:17
Ilir Meta, Tedi Blushi

Presidenti Ilir Meta do të dalë ditën e sotme para komisionit hetimor parlamentar ku po kërkohet shkarkimi i tij.

Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi, konfirmoi këtë të premte se kreu i shtetit do të paraqitet në seancë dëgjimore në orën 09.59, ose një minutë para orarit zyrtar.

“Të dashur kolegë gazetarë që vazhdoni të më pyesni nëse do të shkojë apo jo Presidenti Meta në Parlament. Ju konfirmoj me përgjegjshmëri maksimale se: Ditën e hënë, Presidenti Meta në ora 09:59 do të jetë në Parlament”, thotë Blushi.

Më herët në një reagim të tij pak ditë më parë duke pohuar se do jetë në komision, Meta tha se, “Presidentit si Kryetar i Shtetit, i takon të jetë shembull i bashkëpunimit institucional. Dhe besoj se në këto dy vite kam bërë gjithçka për vendosur këtë bashkëpunim, në respekt të plotë të Kushtetutës, shtetit ligjor dhe interesit publik. Mezi pres që të kthehem tek Parlamenti”.

Në seancën e sotme Presidenti do të shoqërohet nga Këshilltari për Sigurinë, Bahri Shaqiri, Këshilltari Ligjor, Bledi Dervishaj dhe Këshilltari për Mediat, Tedi Blushi.

Kreu i Shtetit, Ilir Meta do të hetohet për një periudhë tre mujore nga kryetari i komisionit hetimor Ulsi Manja dhe 8 deputetë të tjerë, 4 nga mazhoranca dhe 4 nga opozita për shkelje të rëndë të Kushtetutës sipas kërkesës së bërë nga 55 deputetë socialistë.

Presidenti po verifikohet për procedurën e ndjekur nga lidhur me zhdekretimin e datës së zgjedhjeve 30 qershor. /a.y/noa.al