Shtyrjet e vazhdueshme të seancave, gjykata pezullon afatet e paraburgimit për Emiljano Shullazin
Transmetuar më 09-09-2019, 13:02

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda shtyu sot për herë të gjashtëmbëdhjetë seancën gjyqësore ndaj Emiljano Shullazit dhe të akuzuarve si bashkëpunëtorë të tij në gjobëvënie dhe kërcënime; Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi. Mungesa e dy avokatëve erdhi me pretendimin se kishin arsye shëndetësore. Kjo ka bërë sërish të pamundur vazhdimin e procesit të nisur prej 21 janarit 2019.

Në çelje të seancës, kryesuesja e trupës gjykuese, Albana Boksi, konstatoi se i pandehuri Emiljano Shullazi kishte depozituar një deklaratë, sipas të cilës nuk do të merrte pjesë, por do të përfaqësohej nga avokati i zgjedhur prej tij, Vladimir Meçe. Ndërsa ky i fundit kishte paraqitur njoftim se nuk mund të paraqitej në seancën e të hënës për arsye shëndetësore.

Meçe kishte depozituar pranë Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda një raport mjekësor për paaftësi në punë për tre ditë. Po ashtu, edhe avokati Elton Domi kishte dorëzuar pranë gjykatës një kërkesë për shtyrjen e séancës, pasi kishte paraqitur raport mjekësor.

Në sallë ishin të pranishëm katër të pandehurit e tjerë, Gilmando Dani, Blerim Shullazi, Endrit Zela dhe Endrit Qyqja. Gjithashtu ishin të pranishëm mbrojtësi ligjor i Gilmando Danit, avokati Denion Bogdani dhe ai i Blerim Shullazit, avokati Bledar Meminaj.

Prokurori i Apelit për Krimet e Rënda, Isa Jata, u shpreh se në kushtet kur mungonin dy avokatët nuk mund të mbroheshin interesat e të pandehurve dhe se seanca nuk mund të vijonte. Ai i cilësoi të ligjshme shkaqet e avokatëve dhe kërkoi shtyrjen e seancës, por duke pezulluar afatet e paraburgimit për të pandehurit.

Dy avokatët e pranishëm e kundërshtuan kërkesën prokurorisë për pezullimin e afateve të paraburgimit.

Në fund trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtarja Albana Boksi e vlerësoi të ligjshëm shkakun e paraqitur nga avokatët për mungesën e tyre. Kurse pranoi kërkesën e prokurorit për pezullimin e afateve të paraburgimit. Seanca u shty për më datë 23 shtator, ora 11:00.

Grupi i Shullazit është dënuar me 55 vite burg në total nga Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, por vendimi u apelua.

Emiljano Shullazi u shpall faktor për gjobëvënien ndaj biznesmenit Ylvi Beqja dhe Jani Zako. Ai u çlirua nga akuzat për shkatërrim të pronës me eksploziv për dy raste, si dhe nga akuza e kanosjes së dy profesorëve Mynyr Koni dhe Dhori Kule. /b.l/noa.al/

Loading...
Loading...