Berisha e braktisi Shqipërinë apo u dëmtua?! Hysaj kapiten, Reja 4 ndryshime ndaj Islandës
Transmetuar më 09-09-2019, 15:18

Para ndeshjes së gjashtë kualifikuese Euro 2020, përballë një kundërshtari që konsiderohet rival direkt për objektivat kuqezi, tekniku italian ka humbur shërbimet e Etrit Berishës.

Një ditë para ndeshjes Berisha është larguar nga grumbullimi, ku zyrtarisht si arsye u tha se largimi i tij erdhi si “pasojë e një dëmtimi”. Por nuk përjashtohet fakti që portieri ka mbetur i zhgënjyer dhe ka kërkuar të largohet, që të impenjohet me klubin, pasi nuk mori garanci për të qenë titullar ndaj Islandës dhe  nga ana tjetër ka pretenduar se nuk e sheh veten të qëndrojë në stol.

Gjithsesi, vendin e tij pas largimit do ta marrë Gentian Selmani, portieri i përfaqësueses U-21. Pavarësisht largimit të tij, porta është gjëja e fundit që Reja duhet të shqetësohet, në këto momente. Kjo për faktin se në formë është Thomas Strakosha, portier që jep  garanci pavarësisht katër golave të pësuar kundër Francës, në një ndeshje ku portieri nuk mund të fajësohet. Ai e ka treguar formën e tij te Lazio gjatë vitit të fundit, pavarësisht se të njëjtën gjë ka bërë edhe Etrit Berisha te Atalanta. Ka qenë e vështirë për trajnerin të zgjedhë njërin prej të dyve, ashtu sikurse ndodhi që njëri prej tyre u zhgënjye dhe mbeti i zemëruar.

Në fakt, atmosfera në kampin kuqezi nuk është ajo e duhura para ndeshjes së nesërme me Islandën. Reja ka planifikuar 4 deri në pesë ndryshime, krahasuar me ndeshjen e kaluar kundër Francës.

E sigurt është se Mërgim Mavraj do ta nisë ndeshjen nga stoli, ndërsa shiritin e kapitenit do ta mbajë Elseid Hysaj.

“Jo se jemi të gëzuar me rezultatin por të gjithë e dimë se Franca është kampione bote dhe ka lojtarë me shumë vlerë nga Shqipëria, duhet ta harrojmë atë ndeshje se ka skuadër më të fortë se ne, të gjithë do ta kenë, duhet ta harrojmë atë ndeshje. Trajneri na ka dhënë besimin dhe të gjithë jemi të përqendruar te ndeshja e nesërme për të bërë më të mirën”, tha Hysaj.

Mbrojtësi i Napolit, ne lidhje me besimin që mori për të qenë lider i skuadrës kundër Islandës, u shpreh: Jam gjithmonë i kënaqur të kem shiritin e kapitenit se është nder të përfaqësosh një komb si Shqipëria, nuk kam frikë ta mbaj, kam fat me ndeshjet se kemi fituar e shpresoj të fitojmë se jemi përgatitur shumë mirë.”

Hysaj nuk kurseu as kritikat kundrejt kritikave karshi ekipit kombëtar.

“Me Francën e dimë të gjithë se kemi pas probleme me zhgënjime, tifozeri e ata që flasin në rrjetet sociale, janë pak ata që ofendojnë, janë të gjithë ata pas kompjuterit që ofendojnë, është normale që një lojtar të gabojë në fushë, nuk është e drejtë të ofendohet e sulmohet kot, ne vijmë këtu jo për të luajtur për para.”

“Ne vijmë për të dhënë maksimumin, pas ndeshjes me Francën ishim keq se e ndjejmë, ne bëmë lojën tonë, futbolli kështu është. Njerëzit duhet ta dinë të gjithë se nuk besoj se ka njeri që nuk jep 100 me Shqipërinë. Me të vërtetë njerëzit mendonin se mund të fitonim në Francë? Ajo ka 1 lojtar që vlen sa vlera e gjithë ekipit tonë.”

Elseid Hysaj ka edhe një kompliment karshi përfaqësueses së Kosovës, e cila përballet nesër me Anglinë, në një ndeshje për kreun e grupit.

“Kosovës i them thjesht urim dhe të vazhdojnë si janë duke bërë, besoj se ata kanë zjarrin që kishim ne në fillim siç e kishte Kombëtarja kur filluam dhe uroj të vazhdojnë kështu siç janë”, u shpreh Hysaj.

Trajneri Edi Reja foli për ndryshimet për ndeshjen e nesërme kundër Islandës.

Trajneri kombëtares ka lënë jashtë fushës Mavrajn duke e zëvendësuar me Demarkun.

Ndërsa shtoi se lojtarët “duhet të japin 200% të tyre për të fituar ndeshjen dhe se i kanë të gjitha mundësitë për ta mposhtur.”

“Nuk vendos skema për fatet e lojës, por për lojtarët. Kalendari na favorizon për të bërë më të mirë për ndeshjet e radhës. Do bëjmë të paktën katër ose pesë ndryshime. Nuk do të luaj Mavraj por Demarku. Ne do japim 200% për të fituar ndeshjen ndaj Islandës. Jam munduar të transmetoj besim te skuadra. E njohim mire Islandën dhe kemi besim se do ta mposhtim, i kemi të gjitha mundësitë. Kemi tre ndeshje në shtëpi, duhet të shfrytëzojmë faktorin fushë."

Ndeshja me Islandën do të luhet nesër në mbrëmje në “Elbasan Arena”, ora 20:45.

Ndërkohë Shqipëria pësoi humbje të thellë 4-1 me Francën më 7 shtator në "Stade de France”, duke u larguar nga objektivi i një kualifikimi të mundshëm. Franca, Islanda dhe Turqia kryesojnë grupin kualifikues ku bën pjesë Kombëtarja jonë, me nga 12 pikë secila, ndërsa kuqezinjtë kanë 6 pikë pas pesë ndeshjeve të para./a.m/NOA.al

Loading...
Loading...