Bilisht-Tiranë-Mal i Zi-BE, zbulohet itinerari i klandestinëve sirianë nga shqiptarët
Transmetuar më 09-09-2019, 15:56

Dy persona nga Korça janë kapur nga policia e Tiranës, në kuadër të operacionit të koduar “Itinerari”, duke goditur një tjetër tentativë në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të ndryshëm për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, me qëllim dërgimin në vende të BE-së.

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe falë një pune të mirëorganizuar hetimore, në kuadër të operacionit të koduar “Itinerari”, arrestoi në flagrancë shtetasit: E. M., 26 vjeç dhe E. H., 33 vjeç, të dy banues në Zemblak, Korçë. Si dhe u shpall në kërkim shtetasi K. H., 39 vjeç.

Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se me mjetet e tyre private, kundrejt shpërblimit monetar kanë marrë 8 shtetas (emigrantë klandestinë) të kombësisë siriane në qytetin e Bilishtit, në afërsi të kufirit të gjelbër me Greqinë, për t’i sjellë në Tiranë, të cilët më pas do merreshin nga persona të tjerë me qëllim dërgimin e tyre në kufirin e gjelbër me Malin e Zi, me destinacion final vendet e Bashkimit Europian.

Në cilësinë e provës materiale, në kuadër të këtij operacioni, u sekuestruan 2 automjete dhe 12 aparate celularë. Po punohet intensivisht për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit, e kryer në bashkëpunim”./b.l/noa.al/

Loading...
Loading...