Transmetuar më 09-09-2019, 18:48

Gjyqtarja Zhaklina Peto nuk do jetë kandidate për anëtare të Gjykatës Kushtetuese. Ajo është refuzuar sot nga anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED).

Më herët asaj i ishte lejuar që të ishte kandidate, pasi Gjykata Administrative e Apelit e riktheu në garë për Gjykatën Kushtetuese pedagogen e Fakultetit të Drejtësisë.

Vendimi kishte ardhur pasi Zhaklina Peto ishte skualifikuar më parë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi për shkak të problemeve me pasurinë. Madje KED kishte vendosur të zbatonte vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit për rikthimin e kandidates, Zhaklina Peto, në garën për emërim në Gjykatën Kushtetuese.

Por gjatë procesit të Vetingut, Peto rezultoi me probleme me pasurinë.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka thirrur ekspertin e caktuar për procedurën e verifikimit të pasurisë së kandidates, Zhaklina Peto, sipas orientimit të vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit, për të zhvilluar një seancë me pyetje dhe sqarime drejtuar ekspertit lidhur me mendimet e dhëna në aktin e ekspertimit.

Peto ngriti padi

Peto ngriti padi kundër vendimit të KED-it më 9 gusht dhe më 22 gusht, një trupë gjyqësore e përbërë nga Alkelina Gazidede, Amarildo Laçi dhe Bari Shyti vendosi të pranojë pjesërisht padinë e saj.

Dispozitivi i vendimit të publikuar tregon se Gjykata Administrative e Apelit ka shfuqizuar dy vendime të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, të cilat i ndalonin Petos kandidimin për një mandat të plotë dhe një vakancë të parakohshme; të dyja këto të shpallura nga Presidenti i Republikës më 17 shkurt 2018.

Peto ka kërkuar gjithashtu që lejimin e kandidimit ta sigurojë përmes vendimit të gjykatës, por kjo kërkesë është pushuar dhe çështja është rikthyer sërish për vendimmarrje në tryezën e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Zhaklina Peto ka përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë në vitin 1995 dhe zotëron titullin Master në Shkencat Civile si dhe PHD. Ajo është pedagoge pranë Fakultetit të Drejtësisë prej vitit 1996 si dhe autore e disa librave në fushën e së drejtës.

Paralelisht me padinë e mësipërme, Peto ka dorëzuar një padi të dytë kundër KED-it në datën 13 gusht, duke kërkuar sërish lejimin e kandidimit për vakancën e parakoshme. Padia e dytë është në proces shqyrtimi nga një trupë tjetër gjyqësore.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka çertifikuar deri më tani kandidatë të mjaftueshëm për 4 vende vakante në Gjykatën Kushtetuese, ndërkohë që një rikthim i mundshëm në garë i pedagoges Zhaklina Peto do të riaktivizonte edhe listën e pestë për vakancën e përkohshme të 17 shkurtit 2018, duke shpejtuar ngritjen e Gjykatës Kushtetuese.

Megjithatë, një vendim i ndryshëm i KED-it për kriterin e pasurisë do të ngrinte pikëpyetje mbi standardin e procesit.

Problemet me pasurinë

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vendosi ndalimin e kandidimit të Zhaklina Petos për të dyja vakancat më 2 gusht 2019. Sipas vendimit të zbardhur, ajo u ndalua të kandidonte për shkak se dështoi të kalonte me sukses procedurën e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së saj dhe të familjarëve.

Lidhur me kontrollin e pasurisë, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi administroi raportin e ILDKPKI-së, i cili vlerësonte se Peto “nuk kishte kryer deklarim të saktë, ka mungesë dokumentacioni ligjor për burimin e pasurisë si dhe ka mosdeklarim të tyre”.

Sipas ILDKPKI, Peto ka deklaruar pronësinë mbi një apartament me sipërfaqe 130 m2 në rrugën “Ismail Qemali” në Tiranë, por nuk ka deklaruar shtesën e apartamentit që ka gjithashtu sipërfaqe prej 130 m2, nga të cilat 64 m2 janë verandë.

Për këtë pasuri, ILDKPKI konstaton gjithashtu se subjekti ka mungesë dokumentacioni justifikues në lidhje me shpenzimet dhe burimin financiar të shtesës, ka mungesë dokumentacioni për 80 mijë dollarë të deklaruara si dhuratë nga prindërit si dhe vlera e deklaruar prej 3.9 milionë lekësh për blerjen e apartamentit dhe tarracës në vitin 2000 gjykohet të jetë e ulët.

ILDKPKI ka konsideruar gjithashtu të dyshimtë transaksionin e shkëmbimit të një apartamenti 110 m2 me një apartament 156 m2. Sipas ILDKPKI, apartamenti i shkëmbyer është blerë për rreth 117 mijë euro në vitin 2017 dhe është shitur për 170 mijë euro një vit më vonë.

Një transaksion i ngjashëm është evidentuar edhe në vitin 2013, ku Peto sipas ILDKPKI deklaron se ka blerë një makinë për 500 mijë lekë, të cilën e ka shitur katër vite më vonë për 13 mijë euro.

Në raportin dërguar KED-it, ILDKPKI konstaton gjithashtu paqartësi dhe mungesë dokumentacioni ligjor për burimet e mbi 150 mijë eurove të paguara gjatë transaksioneve me pasuritë e paluajtshme. Inspektorati konstatoi gjithashtu se dokumentacioni i të ardhurave të deklaruara nuk ishte i plotë. Dyshime u ngritën gjithashtu mbi një apartament prej 35.5 m2, për të cilin Peto rezultonte si qiradhënëse në vitin 2009.

Sipas vendimit të publikuar në faqen e KED, Zhaklina Peto i ka hedhur poshtë pretendimet e ILDKPKI-së dhe ka dhënë shpjegime mbi gjetjet e konstatuara.

Lidhur me shtesën 130 m2, Peto ka pretenduar se ndonëse nuk është specifikuar në deklaratë, ka dorëzuar në ILDKPKI lejen e legalizimit për sipërfaqen e mësipërme si dhe dokumentacionin ligjor. Ajo ka shtuar gjithashtu se ndërtimi pa leje është bërë nga shitësi, ndaj edhe shtesa ka qenë e paregjistruar.

Ajo pretendoi gjithashtu se kishte justifikuar me dokumentacion ligjor burimin e 80 mijë dollarëve që i kishin dhuruar prindërit, sipas së cilës 50 mijë dollarë rrjedhin nga kontrata e shitjes së një apartamenti.

“Gjithashtu rezulton se nga deklarata me dt. 20 qershor 1999, znj. S.R., i ka dhënë zonjës Sh.P., shumën 30 mijë dollarë me qëllim dhurimin e shumës vajzës për blerje apartamenti”, – ka shtuar ajo.

Peto ka shpjeguar gjithashtu se kontrata e shkëmbimit të apartamenteve ishte në formën e kërkuar nga ligji dhe se ajo kishte investuar rreth 60 mijë euro, çka e ka rritur vlerën e saj nga 117 mijë në 170 mijë euro. Ajo ka pretenduar gjithashtu se kishte burime të ligjshme për të gjitha pikëpyetjet e tjera të ngritura nga ILDKPKI.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka kontraktuar edhe një ekspert financiar për analizën e pasurive të znj. Peto, i cili ka dalë në përfundimin se pasuritë kishin burime të ligjshme dhe se justifikoheshin me të ardhurat e dokumentuara të familjes.

Megjithatë, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i ka dhënë të drejtë raportit të ILDKPKI, duke arritur në përfundimin se “deklarimi nuk është i saktë në përputhje me ligjin dhe se ka mungesë dokumentacioni dhe mosdeklarim të pasurive dhe vlerave të tyre.